Real Madridi po shijon një fillim perfekt sezoni, por situata e Vinicius Junior po bëhet temë e nxehtë në Spanjë. Sulmuesi brazilian ende nuk ka luajtur 90 minuta të plota nën drejtimin e trajnerit Xabi Alonso, i cili mori drejtimin e ekipit në qershor pas largimit të Carlo Ancelottit.
Në 12 ndeshjet e para të sezonit, Vinicius është zëvendësuar në dhjetë prej tyre, pavarësisht formës së mirë. Në takimin e fundit ndaj Espanyolit, ai asistoi në golin e Kylian Mbappes dhe goditi shtyllën, por sërish u nxor nga loja, duke u larguar i irrituar nga fusha.
Statistikat kanë shtuar debatet, pasi 25-vjeçari është lojtari i dytë më produktiv në sulm për Realin, por renditet vetëm i 10-ti për minuta të luajtura.
Alonso u pyet për këtë çështje në konferencën për shtyp para përballjes së nesërme me Levanten në La Liga, ku u shpreh i qetë:
“Edhe unë kur isha lojtar nuk më pëlqente të zëvendësohesha. Nuk mendoj se është problem i madh kur lojtarët shfaqin pakënaqësi. Jam i kënaqur me atë që po bën Vinicius, por është ende fillimi i sezonit dhe kemi nevojë për të gjithë”, tha trajneri.
Pavarësisht tensioneve, rezultatet në fushë nuk janë prekur. Real Madridi kryeson kampionatin spanjoll me 15 pikë pas pesë ndeshjeve, dy më shumë se Barcelona.