Komisioni Evropian propozoi shënjestrimin e më shumë subjekteve kineze dhe indiane në një paketë të re gjithëpërfshirëse sanksionesh kundër Rusisë, njoftoi të premten presidentja, Ursula von der Leyen, sipas “Politico”.
“Ne po shënjestrojmë rafineritë, tregtarët e naftës, kompanitë petrokimike në vendet e treta, përfshirë Kinën”, tha Von der Leyen në një konferencë për shtyp, ndërsa BE-ja bën hapin diplomatik ndaj presidentit të SHBA-së, Donald Trump duke goditur Pekinin.
“Rreth 12 subjekte kineze dhe tre indiane mund të shtohen në një listë që u ndalon kompanive të bllokut të bëjnë biznes me to”, thanë dy diplomatë të BE-së.
Përveç kësaj, dy kompani kineze do të përballen me ndalime transaksionesh, trasnemton ATSh.
Paketa e 19-ta që i imponohet Moskës që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës tre vjet më parë – përfshin një kufizim të çmimit të naftës prej 47,60 dollarësh, një ngrirje e aseteve kundër kompanive dhe sanksioneve të reja kundër të ashtuquajturës “flotë hije” të anijeve të vjetra që transportojnë naftë ruse në kundërshtim me kufizimet e G7.
Brukseli do të vendosë gjithashtu një ndalim për blerjet e LNG-së ruse deri në fund të vitit 2026, paralelisht me një projektligj të veçantë të BE-së – që synon t’i japë fund importeve të Moskës nga blloku deri në fund të vitit 2027.
Komisioneri danez, përgjegjës për Energjinë dhe Strehimin në Komisionin Evropian, Dan Jørgensen, tha të premten se blloku ishte “i përgatitur” për një ndalim më të hershëm.
“Ne kemi ulur kërkesën për gaz dhe kemi investuar në energjinë e pastër”, shtoi ai.
“Rusia ka treguar shkallën e plotë “të përbuzjes” së saj për diplomacinë dhe të drejtën ndërkombëtare”, tha Von der Leyen, duke iu referuar sulmit ndaj zyrave të BE-së në Kiev muajin e kaluar dhe shkeljes së hapësirës ajrore polake dhe rumune nga dronët rusë.
“Në përgjigje, Evropa po rrit presionin ndaj Rusisë”, shtoi ajo.
Paketa e sanksioneve duhet të miratohet nga të 27 vendet anëtare të BE-së, në javët e ardhshme.
Kriptomonedhat dhe bankat
“Tani po sanksionojmë 118 anije shtesë nga “flota hije”. Në total, më shumë se 560 anije janë të listuara nën sanksionet e BE-së.
“Kompanitë kryesore të tregtimit të energjisë “Rosneft” dhe “Gazpromneft”, tani do të jenë në një ndalim të plotë të transaksioneve, dhe disa kompani të tjera gjithashtu do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve”, tha Von der Leyen.
“Për herë të parë, masat tona kufizuese do të godasin platformat e kriptomonedhave dhe do të ndalojnë transaksionet në kriptomonedha. Ne po listojmë bankat e huaja të lidhura me sistemet alternative të shërbimeve të pagesave ruse dhe po kufizojmë transaksionet me subjektet në zonat ekonomike speciale”, shtoi ajo.
Udhëheqësit evropianë janë zotuar të vazhdojnë me presionin mbi Rusinë – për t’i dhënë fund luftës së saj ndaj Ukrainës – mes përpjekjeve diplomatike në rritje për të detyruar Kremlinin të negociojë.
Megjithatë, zyrtarët privatisht pranuan se masat më efektive do të vinin vetëm nëse SHBA-ja nënshkrunte kufizime të ashpra ekonomike dhe zbatim më të ashpër të tyre.
Një ekip teknik i nivelit të lartë u dërgua në Uashington javën e kaluar dhe bisedimet janë duke vazhduar.
Megjithatë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se do të bjerë dakord për sanksione “të mëdha” ndaj Rusisë nëse vendet e NATO-s miratonin tërheqjen e tyre nga nafta ruse – një kërkesë e vështirë duke pasur parasysh se vende si Turqia, Hungaria dhe Sllovakia kanë refuzuar të gjejnë furnizues alternativë.