Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, u shpreh i lumtur me sukseset e klubit katalanas në galanë e Topit të Artë, ku futbollistët e tij morën disa prej çmimeve kryesore.
Lamine Yamal, i cili përfundoi i dyti pas Ousmane Dembélé për Topin e Artë, u shpërblye me trofeun Kopa për lojtarin më të mirë U21, trofe që e fiton për herë të dytë radhazi.
“Është e jashtëzakonshme që Lamine fitoi një trofe të dytë Kopa, diçka që askush nuk e ka bërë më parë. Jam i bindur se ky çmim do ta motivojë për të arritur synimin e madh, Topin e Artë. Kishim shpresa edhe këtë vit, por nuk ndodhi. Sa trofe do të fitojë ai në të ardhmen? Vetëm koha do ta tregojë,” deklaroi Laporta.
Kreu i Barcelonës vlerësoi gjithashtu edhe suksesin e Aitana Bonmatí, e cila fitoi për të tretin vit radhazi Topin e Artë për femra. “Jam shumë i lumtur për Aitanën. Ajo e meriton plotësisht dhe mbajti një fjalim të shkëlqyer, duke prekur familjen, Barcelonën dhe barazinë,” shtoi ai.
Laporta falënderoi edhe trajnerin Hansi Flick për punën me ekipin dhe theksoi se objektivi i Barcelonës mbetet që të jetë gjithmonë mes më të mirëve: “Duhet të punojmë, të punojmë dhe të punojmë. Vetëm kështu do të mund të vazhdojmë të luftojmë për tituj.”