Mbrojtësi ëndërron Real Madridin

- Bota Sot

Mbrojtësi ëndërron Real Madridin

Mbrojtësi francez Dayot Upamecano ka ringjallur dëshirën e tij të kahershme për t’u bashkuar me Real Madrid-in, duke i kërkuar agjentit të tij të punojë për një transferim në “Santiago Bernabéu” sapo kontrata me Bayernin të përfundojë në vitin 2026.

Sipas së përditshmes spanjolle ‘Marca’, lojtari i ardhur nga Leipzig-u ka komunikuar se synon të realizojë ëndrrën e tij për të veshur fanellën e “Los Blancos”, të cilët edhe në të kaluarën kanë pasur interes për të, por pa arritur një marrëveshje.

Klubi gjerman rrezikon të përsërisë skenarin e David Alaba-s, i cili kaloi te Real Madrid si lojtar i lirë. “Los Blancos” kanë fituar një reputacion për përfitimin nga situatat kontraktuale, duke nënshkruar ‘yje’ të mëdhenj me kosto minimale. Përveç Alaba-s, edhe Antonio Rüdiger iu bashkua nga Chelsea pa asnjë pagesë, ndërsa këtë verë u përfol shumë edhe rasti i Trent Alexander-Arnold, i cili lejoi kontratën e tij me Liverpool-in të shkonte drejt fundit përpara se madrilenët të ndërhynin.

Pas historisë së gjatë me Alphonso Davies, drejtuesit e Bayern-it nuk duan të hyjnë në një tjetër spirale të rrezikshme. Megjithatë, nëse nuk i plotësojnë kërkesat e Upamecano-s, ekziston rreziku real që të humbasin një tjetër shtyllë të skuadrës pa përfituar asgjë.

Upamecano fiton rreth 10 milionë euro në vit, por kërkon një rritje të ndjeshme në nivelin e 15 milionë eurove, një shifër e ngjashme me kushtet e rinovimit të kërkuara nga Davies.

Në Madrid prioritetet aktuale ndodhen në sektorë të tjerë, por situata e francezit shihet si një mundësi e vlefshme afatmesme. Me 38 paraqitje sezonin e kaluar dhe një rol të rëndësishëm nën urdhrat e Vincent Kompany, Upamecano mbetet një titullar i palëkundur. Megjithatë, kërkesat e tij financiare mund të testojnë kufijtë e Bayernit dhe të hapin rrugën për një tjetër “goditje” të Realit në tregun e lojtarëve të lirë.



Read it all at Bota Sot