Shkëmbi zbulon recetën e sukseseve të Struga Trim Lum!

- Bota Sot

Shkëmbi zbulon recetën e sukseseve të Struga Trim Lum!

Suksesi është te forca e grupit, thotë trajneri Bledi Shkëmbi, që vazhdon të udhëheq skuadrën e Struga Trim Lum me mjaft sukses në këtë fillim sezoni.

Nën drejtimin e tij, skuadra morri fitoren e 6-të nga gjithsej 7 ndeshje, duke kryesuar renditjen me 19 pikë.

Ekipi që u dorëzua sot para ekipit strugan të strategur korçar, ishte Sileksi.

“Suksesi është te forca e grupit, stërvitshmëria gjatë gjithë javës, përqëndrimi dhe besimi që ka gjithë skuadra për të arritur fitore” – thotë trajneri Bledi Shkëmbi, i cili për dallim nga ndeshja e fundit, mesjavën e kaluar ndaj Shkëndijës në Strugë, sot kundër Sileksit, ishte vendosur për dy ndryshime.

Vendin e Gledi Micit në mbrojtje e kishte zënë, greku Kyriakos Mazoulouxis, derisa vendin e Marjan Radeskit në sulm, e kishte zënë, Hristijan Maleski.

“Ndryshimet nuk ishin taktike, por ishin për të freskuar skuadrën.

Për fat, kemi një grup të mirë lojtarësh, që edhe kur kemi ndryshime nuk bëjnë që të ndjehen mungesat.

Djemtë që luajnë nga fillimi, por më shumë edhe ata që hyjnë nga bankina, meritojnë shumë komplimente, sepse gjithmonë kur hyjnë japin maksimumin dhe niveli i lojës nuk bie” – tha Shkëmbi, i cili nuk është se sot kundër Sileksit kishte përgatitur ndonjë taktikë më ndryshe, apo ndoshta kishte motivuar më shumë lojtarët.

“Ne çdo javë ndeshjet i pëgatisim njësoj. Nuk bëjmë dallime mes skuadrave. Motivimi ynë si skuadër, gjithmonë janë 3 pikët dhe suksesi në fund të çdo ndeshje. Më vjen mirë që edhe ne si staf, por edhe lojtarët jemi të gjithë në një mendje” – ka përfunduar Shkëmbi, intervistën e tij për faqen zyrtare të klubit strugan.



Read it all at Bota Sot