Kupa e Italisë rikthehet në qendër të vëmendjes me një përballje interesante: Milani i Max Allegrit kundër Lecce-s së ish-lojtarit Camarda, ndeshje që do të vendosë se kush do të kalojë në fazën e 1/8-ve, ku fituesin e pret Lazio.
Pas fitores ndaj Barit në raundin e parë dhe suksesit të fundit në kampionat ndaj Udineses, ku arriti fitoren e tretë radhazi, Milani kërkon të vazhdojë momentin pozitiv edhe në kupë.
Megjithatë, kalendari i ngjeshur i detyron kuqezinjtë të bëjnë rotacion. Allegri, ende i pezulluar, duhet të menaxhojë mungesat e rëndësishme të Leaos dhe Jasharit, ndërsa përballë ka sfida të vështira me emra si Napoli, Juventus, Fiorentina dhe Atalanta. Për këtë arsye, priten ndryshime në formacion:
Maignan kthehet titullar në portë, në mbrojtje do ketë vend për De Winter, ndërsa në mesfushë do pushojnë Modric dhe Loftus-Cheek, me lojtarë Fofana, Ricci e Rabiot titullarë. Sulmi do të udhëhiqet nga Nkunku, që pritet të debutojë nga minuta e parë, në krah të Gimenez-it.
Nga ana tjetër, Lecce i Di Francescos është në krizë dhe ende pa fitore. Trajneri synon të japë hapësirë lojtarëve të rinj, me Coulibaly dhe Helgason në mesfushë, ndërsa në sulm do luajë Camarda i mbështetur nga Tete Morente dhe N’Dri.
Për verdhekuqtë, sfida është tepër e vështirë, pasi nuk kanë fituar në ‘San Siro’ që nga viti 1997 dhe Kupa e Italisë nuk shihet si objektiv kryesor për shkak të situatës në kampionat.
Programi i ditës përfshin edhe dy ndeshje të tjera: Cagliari-Frosinone (17:00), me sardët në formë të mirë që synojnë duelin ndaj Napolit në 1/8, si dhe Udinese-Palermo (18:30), ku friulanët kërkojnë rikthimin pas humbjes me Milanin, por rrezikojnë përballë një Palermoje në formë të shkëlqyer në Serinë B, të udhëhequr nga Pippo Inzaghi.