Kjo javë është mjaft e rëndësishme për Partizanin, të cilit i bën punë vetëm fitorja ndaj Bylisit.
Do të jetë transferta e Ballshit ajo që pret të kuqtë, në sfidën e vlefshme për raundin e pestë të Superiores. Partizani vuajti jo pak, por plot shtatë mungesa të futbollistëve që pritet të riaftësohen brenda ditëve të ardhshme.
Lajmet e mira erdhën që dje me zhvillimin e seancës stërvitore në prag të sfidës me Bylisin. Çipi dhe Sembene janë kthyer në stërvitje.
Mungesa e senegalezit prej tri javësh nuk është ndjerë pak, ndërsa kujtojmë se Partizani në dy raundet e para me të në mbrojtje nuk pësonte gol. Mungesë e rëndësishme ndërkohë është e Altin Bytyçit, i cili u ndëshkua me karton të kuq ndaj Elbasanit.
Mbrojtësi pritet të zëvendësohet nga Janjeva, që do e niste krah Prekës në repartin difensiv.
Për këtë Çipi është një alternativë mjaft e vlefshme në stol, për çdo rast emergjent. Qirko po ashtu me Buxhelajn dhe Shanajn pritet të jenë të gatshëm për sfidën me Bylisin. Çdo alternativë është e rëndësishme, ndërsa dy humbjet e fundit kanë ndërlikuar situatën. Skema e re e “Final Four” bën që çdo pikë të ketë vlerë, ndërsa deri tani rivalët e Partizanit, Vllaznia dhe Elbasani, kanë përfituar nga ky fakt në përballjet direkte.