Jose Mourinho ka qenë sërish në qendër të vëmendjes pas barazimit 1-1 të Benficës në shtëpi ndaj Rio Ave, duke goditur ashpër edhe vendimet arbitrale.
Shtypi portugez raportoi se trajneri mund të fitojë 16 milionë euro bruto në sezon, me mundësi që shifra të rritet në 18 milionë euro deri në vitin 2027. Por Mourinho e mohoi këtë version, duke deklaruar se në fakt po humbet financiarisht me aventurën e tij te klubi luzitan.
“Nëse do të qëndroja në shtëpi deri në qershor, do të fitoja më shumë sesa duke punuar te Benfica. As nuk mund të thuash se jam këtu falas; jam këtu duke humbur”, tha ai në konferencë për shtyp.
Portugezi shtoi se sfidat në fushë janë arsyeja pse e ka pranuar detyrën: “Të qëndroj në shtëpi nuk është për mua. Të vë veten në provë, të marr rreziqe, të jem i prirur ndaj fitores e humbjes, këto janë gjëra që më ushqejnë”.
Sa i përket ndeshjes, Mourinho nuk i kurseu kritikat ndaj arbitrimit pas anulimit të një goli:
“Nëse ky është futbolli i ri, ku një gol anulohet sepse një gisht shkel mbi tjetrin... Nuk më pëlqen ky futboll. Është jashtëzakonisht e padrejtë. Një rezultat i tmerrshëm për ne. Pjesa e parë ishte e dobët, por e dyta ishte e mirë, dominuese, agresive, gjithmonë në gjysmën e kundërshtarit. Loja ishte ajo që donte Rio Ave dhe gjyqtari e lejoi”.
Rezultati i lë Benficën në presion që në fillim të sezonit, ndërsa vetë Mourinho po përpiqet të sjellë ndryshimin në “Da Luz” mes polemikave për pagën dhe rezultateve.