Florian Wirtz erdhi nga Bajer Leverkus en te Liverpuli për 125 milionë euro, plus 25 milionë euro në bonuse të mundshme.
Mirëpo 22-vjeçari ende nuk ka dhënë rezultatet, që priteshin prej tij.
Megjithatë, vetë lojtari i Kombëtares gjermane thotë se nuk është i shqetësuar.
Paraqitja e Florian Wirtz në fillim të sezonit të tij të parë te Liverpuli ka qenë mjaft modeste: një asistim dhe asnjë gol në shtatë ndeshjet e tij të para zyrtare.
Kjo ka çuar tashmë në diskutime në disa pjesë të shtypit anglez, i cili shpesh i shqyrton me kujdes nënshkrimet e shtrenjta të klubeve. Por vetë Virc mbetet i qetë në lidhje me situatën e tij.
Në një bisedë me “Sky”, ai shpjegoi se nuk pajtohet me pretendimet e atyre që e konsiderojnë të dështuar në këtë fillim me “Reds”. “Do të thoja se e gjithë kjo mund të tingëllojë pak ashpër tani, sepse nuk po luaj keq.
Por thjesht nuk kam fituar ende ‘pikë’ në syrin e të tjerëve.
Do të vijë në një moment kur gjithçka do të jetë mjaft mirë”, ka thënë fillimisht Wirtz. “Pavarësisht se çfarë thonë të tjerët, unë qëndroj i qetë.
Thjesht përpiqem çdo herë ta bëj më mirë se më parë”.
Mesfushori sulmues i ardhur nga Bajer Leverkuseni për rreth 125 milionë euro, pranoi gjithashtu se periudha aktuale është e pazakontë për të.
“Ndonjëherë ka thjesht faza në të cilat ndoshta jo gjithçka shkon mirë për ty.
Në fakt nuk e kam hasur kaq shpesh këtë në karrierën time”, përfundoi gjermani.
Deri tani ai ka asistuar vetëm Hugo Ekitike, në një gol të shënuar në “Community Shield” përpara fillimit të kampionatit.
Në intervistën e tij me “Sky”, Virc mori një mesazh nga ish-trajneri i Liverpulit, Jurgen Klopp, fjalët e para të të cilit ishin:
“Qëndro i qetë!”. Ndërsa tha edhe se tifozët e drejtuesit e Liverpulit, duhet t’i japin ende pak kohë.
Sa i përket pyetjes nëse është e vështirë të qëndrosh i qetë, Virc tha: “Jo, jo për mua, jo.
Ndonëse, sigurisht që do të doja të kisha shënuar një gol më shumë.
Por pavarësisht se çfarë thonë të tjerët, unë po mbetem i qetë. E di se çfarë jam i aftë të bëj, prandaj thjesht po qëndroj i qetë. Gjithsesi, kjo është një këshillë e mire nga ana e Klopp, të cilin e falënderoj”, përfundoi Florian Wirtz.