Fermín Lopez rrëfen të kaluarën

- Bota Sot

Fermín Lopez rrëfen të kaluarën

Mesfushori i Barcelonës, Fermín Lopez, ka folur hapur për përvojat e tij në një intervistë të dhënë për RAC1, ku ka rrëfyer vështirësitë e para në La Masia, marrëdhënien e tij me Gavin dhe të ardhmen te klubi katalanas.

Fermín kujtoi momentin kur për herë të parë la shtëpinë për t’iu bashkuar akademisë së famshme të Barcelonës:

“Dita ime e parë në La Masia ishte më e keqja e jetës sime. Ishte hera e parë që largohesha nga shtëpia dhe qava shumë,” – tha ai.

Barça e kishte vëzhguar lojtarin që në moshën 11-vjeçare, por babai i tij nuk pranoi transferimin duke e konsideruar shumë të vogël.

Vetëm dy vite më vonë, klubi u rikthye me një tjetër ofertë që, siç shprehet ai, “ishte treni i fundit”.

Me gjithë vështirësitë, Fermín tregon se arriti të përshtatej:

“Na u desh kohë, por krijuam një grup shumë të mirë me Xavi Simons dhe djem të tjerë.”

Marrëdhënia me Gavin

Në javët e fundit ishte përfolur për një tension mes tij dhe Gavit, por mesfushori nga El Campillo i hodhi poshtë këto zëra:

“Ne e njohim njëri-tjetrin që prej moshës 13-vjeçare dhe nuk ka asnjë problem. Është një nga miqtë e mi më të mirë në dhomat e zhveshjes, ashtu si Pedri, Balde, Eric dhe Dani. Dalin gjithmonë gjëra, por askush nuk e di çfarë ndodh brenda. Futbollistët duhet të jenë mendërisht gati për këto situata.”

E ardhmja te Barça

I pyetur për të ardhmen e tij dhe mundësinë për t’u larguar gjatë merkatos së fundit, Fermín u shpreh qartë:

“Nuk e kam menduar kurrë largimin. Gjithmonë kam qenë tifoz i Barcelonës. Patjetër që kishte oferta, por asnjë nga Real Madridi. Klubi nuk donte të më shiste dhe unë nuk doja të largohesha.”

Formë e mirë, por i ndalur nga dëmtimi

Pas një vere të pasigurt, Fermín López mbeti në skuadrën e parë të Barcelonës dhe ka qenë protagonist në këtë fillim sezoni, duke u aktivizuar titullar në pesë nga gjashtë ndeshjet e para. Megjithatë, fatkeqësisht, në minutat e fundit të përballjes kundër Getafes pësoi një dëmtim dhe do të qëndrojë jashtë fushave për të paktën tri javë.



Read it all at Bota Sot