Jashari po rikuperohet: “Jam më mirë, po përmirësohem”

- Bota Sot

Jashari po rikuperohet: “Jam më mirë, po përmirësohem”

Mesfushori i talentuar i Milanit, Ardon Jashari, po bën hapa pozitivë në rikuperimin e tij pas dëmtimit të rëndë të pësuar në fund të gushtit. Që nga 28 gushti, ish-lojtari i Club Brugge është jashtë fushave për shkak të një frakture të përbërë në fibulën e djathtë, e cila erdhi pas një përplasje të pafat në stërvitje.

Fillimisht, koha e rikuperimit ishte parashikuar në dy deri në tre muaj, çka nënkupton se Jashari pritet të rikthehet në fushë jo më herët se nëntori. Futbollisti zviceran për disa ditë u stërvit në Zvicër me një program të personalizuar rehabilitimi dhe tashmë është rikthyer në Milano, ku do të vlerësohet nga stafi mjekësor i kuqezinjve pas pushimit të tetorit.

Dje, 21-vjeçari ishte i pranishëm në “San Siro” për të ndjekur nga afër fitoren e Milanit ndaj Lecce në Kupën e Italisë. I pyetur nga “Sportitalia”, ai dha një mesazh inkurajues: “Si jam? Mirë, më mirë, më mirë.”

Milan ka ndërtuar një mesfushë të fuqishme me Luka Modric dhe Adrien Rabiot, por rikthimi i Jasharit mbetet i shumëpritur, duke qenë se ai ishte një nga nënshkrimet më të shtrenjta të merkatos verore dhe një lojtar që u kërkua me ngulm nga kuqezinjtë, pavarësisht interesimit nga klubet e Premier League.

Për momentin, nuk ka ende një datë të saktë për kthimin e tij në fushë, por progresi i deritanishëm tregon se Jashari është në rrugën e duhur për t’u rikthyer dhe për të ndihmuar Milanin në objektivat e këtij sezoni.



Read it all at Bota Sot