Edhe pas disa viteve nga 22 maji 2010 dhe fotos ikonike të Zanettit me Champions-in në duar, ish-kapiteni nuk e ka humbur respektin për trajnerin e tij. Argjentinasi kujton fillimet me Mourinho: “E kuptova menjëherë që ishte ndryshe nga të tjerët”.
Ai tregon momentin e parë: “Pasi përfundoi sezoni e dinim që trajneri do të ndryshohej.
Mora avionin për në Romë, sapo zbarkova më ra telefoni. Ishte thirrje nga një numër portugez.
E hapa dhe kuptova se ishte Mourinho. Më tha se sapo kishte nënshkruar me Interin, do të ishte trajneri i ri dhe unë kapiteni i skuadrës. Pastaj më kërkoi falje për italishten e tij jo shumë të rrjedhshme, edhe pse në fakt ishte e përkryer”.
Zanetti lavdëron karakterin dhe përgatitjen e “Special One”: “Ishte i drejtpërdrejtë dhe i trajtonte të gjithë njësoj. Në lojë ishte më i përgatituri, pa favorizime.
Na jepte një CD me informacion për kundërshtarët. Edhe gjatë ndeshjes na jepte sugjerime të dobishme për të fituar, nuk gabonte kurrë. Ai na bindi se mund ta fitonim Champions League”.
Zanetti kujton stilin e tij të veçantë në përgatitje; vetëm fusha, asnjë palestër, me ushtrime të ndryshme çdo ditë dhe një kërkesë kryesore: “Ju kërkoj vetëm një gjë: të stërviteni maksimalisht, me vëmendje dhe intensitet të paktën për një orë e gjysmë, çdo ditë. Pasi zbritnim në fushë ishim në maksimum, fluturonim”.