Në pritje të Lautaros

- Bota Sot

Në pritje të Lautaros

Interi pret rikthimin e kapitenit të vet, Lautaro Martinez, i cili të shtunën kundër Kaljarit do të marrë sërish drejtimin e sulmit zikaltër.

Argjentinasi, që prej disa javësh po lufton me një problem shpine dhe me pasojat e lodhjes nga kombëtarja, është gati të lërë pas çdo shqetësim dhe të rikthehet titullar.

Për Interin, që në javët e fundit ka vuajtur mungesën e qartësisë para portës, prania e Lautaros është një garanci.

Kapiteni nuk shënon që prej ndeshjes hapëse të kampionatit kundër Torinos, por statistikat e tij kundër Kaljarit janë premtuese: në 11 përballje ka realizuar 11 gola, shtatë prej tyre në pesë ndeshjet e fundit. Për më tepër, pikërisht kundër sardëve, shtatë vite më parë, Lautaro kishte gjetur golin e tij të parë në Serie A.

Në prag të ndeshjes, trajneri Kristian Kivu ka ende disa dilema mbi partnerin e Lautaros në sulm. Turam mbetet alternativa më e natyrshme, por nuk përjashtohet as përdorimi i të riut Pio Esposito apo francezit Boni. Vendimi përfundimtar do të merret gjatë seancave stërvitore në qendrën “La Pinetina”. Gjithsesi, është e qartë se skema e Interit do të ndërtohet rreth kapitenit, i cili pritet të rikthehet në rolin e tij klasik të liderit të sulmit.

Rikthimi i Lautaros vjen në një moment delikat për zikaltërit. Pas barazimeve e luhatjeve të fundit, Interi ka nevojë për të rifituar ritmin dhe për të shënuar gola. Përballja me Kaljarin shihet si një mundësi ideale për të rritur moralin dhe për të rigjetur efikasitetin përpara një muaji tetor të mbushur me sfida të mëdha. Pas duelit në Sardenjë dhe ndeshjes së radhës me Kremonesen në “San Siro”, për Interin do të vijë një seri përballjesh të forta: Roma, Napoli dhe Fiorentina.

Të gjithë e dinë se muaji i ardhshëm mund të përcaktojë shumë gjëra në garën për titull. Për këtë arsye, kthimi i Lautaros shihet si një sinjal i rëndësishëm për skuadrën dhe për tifozët.

Argjentinasi jo vetëm që është golashënuesi më i besueshëm i Interit, por edhe lideri shpirtëror i grupit.

Pa të, ekipi shpesh duket më i zbehtë, ndërsa me praninë e tij ka më shumë siguri dhe grintë. Tifozët zikaltër presin që kapiteni të rikthehet menjëherë në gol dhe të udhëheqë skuadrën drejt një serie rezultatesh pozitive.

Sfida kundër Kaljarit mund të jetë pikënisja e një faze të re për Interin, që synon të rikthehet menjëherë në krye dhe të harrojë vështirësitë e fundit.



Read it all at Bota Sot