Fillimi i sezonit për Real Madridin mund të jetë shumë mirë një operacion inteligjence.
Shtatë ndeshje të luajtura, zero humbje, zero barazime dhe shtatë fitore. Një bllok i parë, siç e quan trajneri i tyre, i cili mban firmën e Çabi Alonsos.
Si në një film të Xhejms Bond, kundërshtarët kanë ardhur e kanë ikur si kundërshtarë me shumë shpresa por me fund qëdihet, të mundura. Osasuna, Espanjol, Levante dhe Real Sociedad janë përpjekur të ndalin Madridin, por janë neutralizuar me të njëjtën gjakftohtësi.
Në çdo duel, plani i Çabit mbizotëronte me lehtësi dhe aftësi, sikur skenari të ishte shkruar para se të hidhej topi. Shtatë kapituj me një rezultat identik para njërit prej misioneve më të rëndësishme të sezonit, derbit në “Metropolitano”.
Në çdo operacion inteligjence, gjithmonë ka një armë vdekjeprurëse, dhe për Alonson, është Kilian Mbape.
Francezi i është përgjigjur një sfide të re duke marrë mbi supe barrën e shënimit të golave për Real Madridin.
Shkatërrues në hapësirë, shkatërrues kundër çdo mbrojtësi dhe i saktë nga 11 metrat. Çdo version i performancës së francezit mund t’i shtojë tre pikë bilancit. I fundit i tij, shpikja e një Panenka kundër Levantes ka treguar qetësinë, por edhe fortësinë si futbollist. Në universin e Bondit, gjithmonë ekziston një laborator ku pajisjet përshtaten mirë përpara se të hyjnë në veprim.
Në Madridin e Çabit, ajo hapësirë është mesfusha.
Atje, ai i ka shpërndarë minutat me mençuri, duke i dhënë Gyler një rol të ri dhe Çuaménit më shumë lëvizje.
Ky është çelësi për trajnerin e lindur në Tolosa, t’i mbajë të gjithë të angazhuar në një dinamikë ku kërkesa kryesore është përkushtimi. Nga ky angazhim vjen presioni. Një element i panegociueshëm për trajnerin, i cili është bërë tipar dallues i ekipit kur bëhet fjalë për mbrojtjen. Kur nuk e kanë topin, nuk ka lëshime.
Të gjithë kontribuojnë, duke filluar nga Mbape dhe Vinicius, deri te mesfushorët. Nuk ka të bëjë vetëm me rikuperimin e shpejtë, por edhe me ruajtjen e iniciativës gjatë gjithë ndeshjes dhe ruajtjen e një angazhimi kolektiv që shpjegon fitoren 100% të ekipit.