Në Torino, te Juventusi i Igor Tudor, një gjë është e qartë, sulmues ka me bollëk, por hapësira në fushë nuk mjafton për të gjithë.
Bardhezinjtë kanë në dispozicion tre emra të mëdhenj për repartin ofensiv, Dushan Vlahoviç, Lois Openda dhe Xhonatan Dejvid, por trajneri kroat duket i palëkundur në bindjen e tij për të mos ndryshuar skemën klasike 3-4-2-1.
Sipas filozofisë së Tudor, sistemi nuk negociohet. Maksimumi që ai pranon është varianti 1+2, me një trekuartist dhe dy sulmues, por gjithmonë brenda strukturës që ai e konsideron të shenjtë.
Kjo do të thotë se, në shumicën e rasteve, vetëm njëri prej tre bomberëve do të nisë titullar, ndërsa të tjerët do të duhet të presin shansin e tyre nga stoli. Një situatë e veçantë për një skuadër që deri pak kohë më parë kërkonte me ngulm një qendërsulmues, ndërsa sot përballet me luksin e tepricës.
Në rastet kur në fushë dalin dy nga këto emra, zakonisht u kërkohet të adaptohen në rolin e “gjysëm-sulmuesve” në krah, veçanërisht Openda dhe Dejvid. Vlahoviç, për nga profili i tij, mbetet gjithmonë referenca kryesore në qendër të sulmit dhe nuk zhvendoset nga pozicioni i tij natyral.
Kjo shpesh i detyron lojtarët e tjerë të përshtaten me një rol që nuk është ideal, por që shërben për ekuilibrin e skemës së trajnerit. Nga ana tjetër, Tudor ka në dispozicion edhe profile të tjerë interesantë për pas sulmuesit të parë: Ildiz dhe Konseisao. Turku pëlqen të nisë nga krahu i majtë për të hyrë në qendër, ndërsa portugezi mund të hapet në krah apo të hyjë drejt zonës me topin në këmbë, siç tregoi me golin e shënuar në Veronë.
Janë këto karakteristika që e bindin trajnerin të mos heqë dorë nga ideja e tij e lojës vertikale, ku krahët dhe hapësirat e mesfushës shfrytëzohen për duele 1-me-1 dhe për bashkëpunime me mbrojtësit anësorë që ngjiten lart. Në këtë mënyrë, duket se teprica e sulmuesve nuk shihet si problem, por si një pasuri që do të menaxhohet me rrotacion.
Megjithatë, nuk mungojnë kritikat për mungesën e fleksibilitetit taktik: shumë analistë mendojnë se me tre emra të tillë në repartin ofensiv, do të ishte më logjike të provohej një sistem që i vendos më shpesh bashkë në fushë. Tudor, sidoqoftë, mbetet besnik i bindjeve të tij. Në fakt, për trajnerin kroat, sfida më e madhe nuk është se si t’i vendos të gjithë yjet e sulmit në fushë, por si të gjejë ekuilibrin në mbrojtje.
Problemet kryesore të Juventusit deri tani kanë ardhur nga mungesa e qëndrueshmërisë në fazën mbrojtëse, dhe është pikërisht aty ku Tudor kërkon të përqendrojë punën. Pra, mes luksit të tepricës në sulm dhe nevojës për siguri pas, e ardhmja e Juventusit do të varet nga aftësia e trajnerit për të menaxhuar balancën.
Tifozët bardhezi shpresojnë që, pavarësisht zgjedhjeve taktike, golat të mos mungojnë dhe skuadra të mbajë hapin në garën për titull.