Transferim befasues: Pajtim Kasami i bashkohet FC Winterthur-it

- Bota Sot

Transferim befasues: Pajtim Kasami i bashkohet FC Winterthur-it

FC Winterthur ka bërë një goditje të madhe në merkato, edhe pse afati kalimtar është mbyllur. Mesfushori i njohur shqiptar, kampion bote me Zvicrën U-17, Pajtim Kasami, ka firmosur një kontratë me klubin deri në fund të sezonit.

Një emër i madh i futbollit zviceran do të zbresë tani në fushën e “Schützenwiese”. Sipas burimeve të mediave zvicerane, Kasami është tashmë pjesë e ekipit të Winterthur-it dhe ka nisur stërvitjet me skuadrën.

“Jam 33 vjeç, ndihem i gatshëm dhe shumë i motivuar. Dua patjetër të luaj”, kishte deklaruar Kasami në korrik. Ai vjen pas një sezoni të vështirë: te Sampdoria në Itali u largua pas vetëm disa muajsh, ndërsa rikthimi te FC Sion nuk i solli minutat e pritura nën drejtimin e trajnerit Didier Tholot.

Largimi nga Sioni i ka hapur rrugë Kasamit që t’i bashkohet Winterthur-it edhe pas mbylljes së merkatos, duke përfituar si lojtar i lirë.

Për Winterthur-in, ky transferim sjell përvojë dhe kualitet në mesfushë, por edhe një figurë udhëheqëse në dhomën e zhveshjes. Për Kasamin, është një rikthim simbolik: ai kishte luajtur në moshat e reja te FCW përpara se të kalonte te Grasshoppers në vitin 2006, nga ku nisi edhe karrierën e tij ndërkombëtare në Serie A, Premier League dhe Superligën greke, ku fitoi dy tituj kampion dhe një kupë me Olympiakos Piraeus.

Në Zvicër, Kasami ka mbrojtur ngjyrat e Luzernit, Sionit dhe Baselit, ndërsa Winterthur është tashmë stacioni i tij i katërt në Superligë. / BS



Read it all at Bota Sot