Është caktuar data, Pogba po rikthehet në fushë

- Bota Sot

Është caktuar data, Pogba po rikthehet në fushë

Paul Pogba është shumë pranë rikthimit në futboll pas një periudhe të gjatë mungese. Trajneri i Monacos, Adi Hütter, ka konfirmuar se mesfushori francez po përparon ndjeshëm:

“Fizikisht dhe mendërisht po shkon mirë. Është stërvitur për tre muaj dhe është afër kthimit në skuadër,” deklaroi Hütter.

Sipas mediave franceze, Pogba pritet të jetë i disponueshëm më 5 tetor, në ndeshjen e Ligue 1 kundër Nice në Stade Louis II. Ndërkohë, rikthimi në sfidën e së shtunës kundër Lorient shihet më pak i mundshëm.

Ish-mesfushori i Juventusit nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare që prej 3 shtatorit 2023, kur u aktivizua ndaj Empolit. Pak javë më vonë, ai u pezullua për doping dhe u dënua fillimisht me katër vite jashtë fushave. Megjithatë, në tetor 2024, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv uli ndalimin në 18 muaj, që skadoi më 11 mars 2025.

Pas ndarjes me Juventusin, Pogba refuzoi një transferim në MLS dhe verën e kaluar nënshkroi një kontratë dyvjeçare me Monacon, e vlefshme deri më 30 qershor 2027. Klubi monegask e ka regjistruar 31-vjeçarin edhe për Ligën e Kampionëve, ku pritet të rikthehet në tetor.

Ky rikthim do të shënojë një moment të rëndësishëm për kampionin e botës 2018, i cili synon të rifitojë formën dhe të lërë pas periudhën më të vështirë të karrierës së tij.



Read it all at Bota Sot