Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, D.B. dhe E.B., për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje ndërmjet grupeve fetare, duke propaganduar ideologji ekstreme dhe përkrahur veprimet e organizatës terroriste ISIS. Hetimet tregojnë se D.B. dhe E.B. përmes rrjeteve sociale “Facebook” dhe “TikTok” kanë shpërndarë përmbajtje nxitëse me thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad. Po ashtu, ekziston dyshimi i bazuar se ata kanë vendosur flamuj të ISIS-it mbi kulmin e shtëpisë së tyre dhe kanë shkruar grafite me shkronja arabe në muret e saj, veprime që sipas Prokurorisë rrezikonin rendin publik.
Në aktakuzë thuhet gjithashtu se D.B. ka përdorur gjuhë fyese ndaj hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ka refuzuar këdo që nuk praktikon fenë sipas mënyrës së tij.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të pandehurit të shpallen fajtorë sipas ligjit, duke kërkuar vazhdimin e paraburgimit për D.B. dhe të arrestit shtëpiak për E.B.