Babai i Neymarit padit gazetarin për shpifje

- Bota Sot

Babai i Neymarit padit gazetarin për shpifje

Klanit të Neymar-it i është shtuar një betejë e re, këtë herë jashtë fushës së futbollit. Babai dhe njëkohësisht menaxher i ‘yllit brazilian, Neymar Senior, ka njoftuar se do të ndërmarrë hapa ligjorë kundër gazetarit brazilian, Rodolfo Gomes, pas akuzave të bëra prej tij në media.

Gomes ka pretenduar së fundmi se Neymar shpesh shfaq zakone jo profesionale, si konsum i tepruar i uiskit dhe pijeve energjike, përdorim i nargjilesë dhe vonesa të shpeshta në stërvitje për shkak të gjumit deri vonë.

Deklarata që ngjallën shumë reagime në opinionin sportiv.

Vetë Neymar reagoi fillimisht me ironi, duke publikuar një “story” në Instagram ku shfaqej me një pije energjike në dorë. Por ndryshe mendon babai i tij, i cili në një komunikatë zyrtare theksoi se çështja do të ndiqet si në aspektin penal, ashtu edhe civil:

“Deklaratat e pavërteta, shpifëse dhe të dëmshme të Rodolfo Gomes kundër Neymar Jr. do të jenë objekt i të gjitha veprimeve ligjore të nevojshme për të mbrojtur nderin dhe imazhin e atletit”, thuhet në komunikatë.

Në të njëjtin reagim, theksohet se shpërndarja e lajmeve të rreme dëmton jo vetëm reputacionin e futbollistit, por edhe besueshmërinë e gazetarisë serioze:

“Dezinformimi minon besimin në punën e përgjegjshme të medias. Sjellje të tilla, përveçse të papranueshme moralisht, janë të paligjshme dhe nuk do të tolerohen.”

Në këtë mënyrë, përveç sfidave në fushë, Neymar Jr. duhet të përballet edhe me një betejë ligjore, ndërsa babai dhe ekipi i tij garantojnë se do të mbrojnë me vendosmëri imazhin dhe privatësinë e tij.



Read it all at Bota Sot