Përshkallëzohet konflikti mes qeverisë kroate dhe asaj hungareze lidhur me furnizimin me naftë ruse dhe tarifat e tranzitit.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto akuzoi Kroacinë për përfitim nga lufta dhe deklaroi se kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq nuk thotë të vërtetën, ndërkohë që qeveria kroate hodhi poshtë me forcë akuzat dhe u përgjigj se në fakt Hungaria është ajo që përfiton nga çmimet më të lira ruse.
Peter Szijjarto reagoi mëngjesin e sotëm përmes rrjeteve sociale duke përsëritur akuzat në drejtim të shtetit kroat.
"Sado që qeveria kroate e mohon, ata realisht duan të përfitojnë nga lufta në Ukrainë. Tarifat e tranzitit për transportin e naftës përmes Kroacisë janë rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës, dhe tani duan të na pamundësojnë blerjen e naftës ruse në mënyrë që të fitojnë një pozitë monopol në raport me ne dhe të nxjerrin edhe më shumë fitime - në dëm tonin... Naftësjellësi Adriatik nuk mund të furnizojë i vetëm Hungarinë dhe Sllovakinë: sipas testimeve të kryera, ky naftësjellës thjesht nuk është në gjendje të transportojë në mënyrë të vazhdueshme dhe të besueshme sasinë e nevojshme të naftës për ne", shkroi ai.
Plenkoviq dhe ministri i Ekonomisë, Ante Shushnjar hodhën poshtë pretendimet e ministrit hungarez se Kroacia po përfiton nga kriza dhe po vendos një tarifë lufte për naftën, si dhe se nuk mund të sigurojë sasi të mjaftueshme për furnizimin e Hungarisë dhe Sllovakisë.
Shushnjar deklaroi se Janaf (Naftësjellësi Adriatik) mund të dorëzojë të gjitha sasitë e nevojshme të naftës, raporton index.hr.
Pelnkoviq gjithashtu hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se Kroacia, për shkak të kapaciteteve të saj, është një qendër rajonale energjetike:
"Së pari, përfitues mund të quhet dikush që aktualisht merr naftë dhe gaz rus më të lirë. Kjo nuk është Kroacia, e cila që nga viti 2022 nuk i përdor fare. Unë mund të them se është Hungaria ajo që gjendet në një pozitë ku përfiton nga energjetika më e lirë. Përfituesja është Hungaria, jo Kroacia", tha Plenkoviq.
Ndryshe, Hungaria ka deklaruar se nuk do të ndalet së bleri naftë ruse pavarësisht thirrjeve të SHBA-ve.