I dënuari për krime lufte në Kosovë, ish-gjenerali serb po lirohet nga burgu

- Bota Sot

I dënuari për krime lufte në Kosovë, ish-gjenerali serb po lirohet nga burgu

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të premten nga Nju Jorku se Gjykata Ndërkombëtare në Hagë ka vendosur të lirojë para kohe gjeneralin serb Nebojsha Pavkoviq, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Pavkoviq, ish-komandant i Ushtrisë Jugosllave, po vuan një dënim prej 22 vitesh burg në Finlandë, pasi u shpall fajtor për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë vitit 1999. Ai është dënuar për dëbim, zhvendosje të detyruar, vrasje dhe persekutim të civilëve shqiptarë. Vendimi ndaj tij është i formës së prerë.

Sipas Vuçiqit, Qeveria e Serbisë, me kërkesë të tij personale, ka dorëzuar një kërkesë për lirimin e parakohshëm të Pavkoviqit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ndërsa Ministria e Drejtësisë i ka dërguar një aneks të veçantë Mekanizmit në Hagë.

Presidenti serb shtoi se, pas përgjigjes zyrtare nga gjykata, do të mundësohet kthimi i Pavkoviqit në Serbi, raporton N1.

“Shpresojmë ta marrim gjeneralin Pavkoviq që të shohë diellin e Serbisë së lirë, për të cilën luftoi aq trimërisht në vitin 1999,” tha Vuçiq.

Pavkoviq u arrestua në vitin 2005 dhe u dënua në vitin 2009 bashkë me disa figura të tjera të larta ushtarake dhe politike serbe: Dragolub Ojdaniq, Vlladimir Llazareviq, Sreten Llukiq dhe Nikolla Shainoviq. Ndërsa Pavkoviq dhe Llukiq morën dënime me nga 22 vjet burg, Ojdaniq dhe Llazareviq u dënuan me nga 15 vjet.

I pandehuri kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim, ndërsa Millan Millutinoviq, ish-president i Serbisë, u shpall i pafajshëm. Të gjithë të akuzuarit ishin dorëzuar vullnetarisht para gjykatës.

Deri më tani, Mekanizmi në Hagë nuk ka konfirmuar publikisht vendimin për lirimin e Pavkoviqit. Në maj të vitit 2022, kërkesa e tij e mëparshme për lirim të parakohshëm ishte refuzuar për shkak të “rëndësisë së krimeve të kryera dhe mungesës së rehabilitimit”.



Read it all at Bota Sot