Klubi i futbollit Vizonit nga Ferizaj (femrat), anëtare e Ligës së Parë (rangu i dytë) akuzojnë trajnerin e Presing-ut nga Sadovina, Enver Halilin, se ka pas sjellje josportive, ndërsa ky i fundit i kundërpërgjigjet akuzave të klubit ferizajas.
“Në ndeshjen ndaj KFF Presingu në Sadovinë, përjetuam një tmerr të vërtetë.
Trajnerët kundërshtarë na provokuan me sharje e fyerje, dhe situata kulmoi kur njëri prej tyre (Enver Halili) – i cili nuk figuron fare në protokollin zyrtar të ndeshjes – sulmoi fizikisht njërën prej lojtareve tona edhe brenda zhveshtores e më pas në fushë, para syve të publikut dhe kamerave të FFK-së.
Ky veprim i shëmtuar shkaktoi frikë, stres dhe psikologjike te lojtaret tona dhe lëndoi familjet tona që besojnë se futbolli i femrave duhet të jetë i sigurt.
Nuk është hera e parë që sulmohemi nga këta pseudotrajnerë – një rast i ngjashëm ndodhi edhe vitin e kaluar, kur ish-lojtarja jonë Jehona Zeka u fye në mënyrën më poshtëruese nga i njëjti trajner, Enver Halili.
Provokimet nuk munguan as ndaj trajnerit tonë, të cilin në çdo moment e provokonte Granit Halili.
Situata eskaloi edhe më tej kur publiku u fut në fushë për të na sulmuar, por falë ndërhyrjes së sigurimit u shpëtuam nga më e keqja.
Theksojmë me keqardhje se Enver Halili, një gjysh me dhjetëra nipër e mbesa, në vend që të jetë shembull urtësie e respekti, zgjodhi të ushtrojë dhunë ndaj vajzave tona – të cilat për nga mosha mund të ishin mbesat e tij, e jo viktimat e tij.
Videot nga FFK do të merren dhe do të publikohen, në mënyrë që e vërteta të shihet nga të gjithë.
Dhuna nuk arsyetohet me asgjë në botë.
Trajnerët duhet të jenë edukatorë dhe shembull, duke i mësuar futbollistet të respektojnë njëra-tjetrën, sepse një ditë ato mund të jenë bashkëlojtare në një klub ose edhe shoqe të mira në jetën e përditshme.
STOP DHUNËS – e sidomos STOP DHUNËS ndaj futbollisteve femra.
Vajzat tona sakrifikojnë çdo ditë për këtë sport dhe meritojnë respekt, siguri dhe dinjitet”, reagon KFF Vizioni.
Enver Halili tha se nuk është vërtetë ata çka thonë Vizioni dhe tregon versionin e tij.
“Kur je duke humbur 3:0, edhe 10 minuta lojë...
Ishte me 10 lojtare.
Njëra mori karton të kuq e njoh si figurë po emrin nuk ja di, unë isha para zhveshtores time me 5 lojtare të mija cilat nuk luajnë se janë të vogla.
Dhe kur u përjashtu ajo vajza, erdhi hyri në zhveshtore të vete dhe i mshoj derës shkelem dhe tha a luhet futboll me këto egërsira, ne nuk folëm se e dija se ishte nervoz.
Pas disa minutave u kriju një tollovi të porta e kundërt dhe kur ka vrapuar ajo e dënuara në fushë me rroba civile.
Dhe unë veç kam dhe në fushë disa metra pas saj dhe i kam thënë ku je tu shku, se kjo nuk është bahçe e babës, mu ka kthye e më ka ofenduar, më ka sha, po unë nuk reagova, e morën e larguan nga fusha lojtarët e veta”, përgjigjet Halili për gazetën kombëtare “Bota sot”.