Mesfushori shqiptar shkëputet në kreun e renditjes së golashënuesve

- Bota Sot

Mesfushori shqiptar shkëputet në kreun e renditjes së golashënuesve

Nazmi Gripshi po kalon vitin më të mirë në karrierën e tij në radhët e klubit të Astana në Kazakistan, teksa është kthyer në golashënuesin më të mirë të kampionatit atje me ekipin që kryeson renditjen i shkëputur nga ndjekësit.

Në duelin e sotëm ndaj Okzhtepes, Gripshi ka qenë autori i dy golave për ekipin e tij në suksesin 2-1 në transfertë. Goli i parë erdhi që në minutën e 6 të ndeshjes, nëpërmjet një penalltie të cilën mesfushori shqiptar e shënoi me saktësi.

Mundësia u përsërit në minutën e 81-të, me një tjetër gjuajtje nga pika e bardhë. Dhe Gripshi përsëri ishte i akullt, duke dyfishuar shifrat e ndeshjes në favor të ekipit të tij.

Kësisoj, ai arriti në kuotën e 15 golave në këtë kampionat, duke marrë kreun e renditjes së golashënuesve, para shokut të skuadrës Tomasov i cili ka 4 më pak.

Këtyre golave, Gripshi u ka shtuar edhe 6 asiste, që e bëjnë këtë padyshim sezonin më të mirë në karrierën e tij sa i përket kontributit te golat e shënuar.



Read it all at Bota Sot