FC Kosova shënon fitore bindëse

- Bota Sot

FC Kosova shënon fitore bindëse

FC Kosova e Dusseldorfit falë lojës së mirë, ka shënuar fitore bindëse me rezultat 3:1 ndaj Gnadentalit.

Tre pikë domethënëse për skuadrën shqiptare e cila synon kreun e tabelës në Landesliga në futboll.

“Ashtu siç pritej, ndeshja e sotme në Landesliga, e vlefshme për javën e 7-të, u mbyll me një fitore të merituar për skuadrën tonë, FC Kosova.

Me një lojë më të mirë dhe dominim të dukshëm ndaj kundërshtarit, ekipi ynë arriti të kontrollojë takimin që nga minutat e para.

Heroi i parë i sfidës ishte i riu i talentuar, Leon Azemi, i cili me një goditje të fuqishme nga distanca mbi 20 metra, e dërgoi topin në rrjetë dhe shpërtheu entuziazmin e tifozëve të shumtë që mbështetnin skuadrën tonë.

Ky ishte goli i parë i Azemit dhe gjithashtu i pari i shënuar nga një mbrojtës për FC Kosova këtë sezon.

Pas avantazhit, loja u ekuilibrua dhe Gnedentali arriti të barazojë rezultatin në një moment dobësie, por vetëm kaq.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, në min 42, pas një kombinimi të bukur mes Astrit Hysenit dhe Adonis Aliut, ky i fundit shënoi për 2:1, duke rikthyer epërsinë e skuadrës sonë. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, FC Kosova administroi ndeshjen me qetësi, krijoi disa raste të tjera të mira, por pa mundur t’i konkretizojë. Figurë të mirë bëri edhe portieri ynë Leon Hasani që perseri zhvilloi nje ndeshje shumë të mirë. Megjithatë, sulmuesi Kaito Kaijani, i futur si zëvendësues, realizoi golin e tretë në min 81, duke vulosur fitoren 3:1.

Në përgjithësi, loja ishte e mirë dhe ekipi tregoi reflektim pas humbjes së fundit. Me këtë fitore, FC Kosova ngjitet në vendin e gjashtë me 12 pikë. Dy ndeshjet e ardhshme skuadra jonë do t’i zhvillojë jashtë fushe, por ka treguar forcë edhe në transfertë, ku tashmë ka regjistruar dy fitore.

Të dielën e ardhshme FC Kosova do të përballet me TVD Velbert”, njofton FC Kosova..



Read it all at Bota Sot