Orban dhe Fico bëjnë aleancë kundër presionit evropian: Nuk heqim dorë nga nafta ruse!

- Bota Sot

Orban dhe Fico bëjnë aleancë kundër presionit evropian: Nuk heqim dorë nga nafta ruse!

Kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe homologu i tij sllovak, Robert Fico, deklaruan se nuk kanë ndërmend të braktisin naftën ruse, duke kundërshtuar hapur presionet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy liderët theksuan se përbërja energjetike është një vendim sovran i çdo shteti dhe nuk duhet të diktohet nga jashtë.

“Nuk ka askush të drejtën të na thotë se nga kush duhet të marrim gazin dhe naftën,” u shpreh Fico gjatë një fjalimi para një grupi qytetarësh në qytetin hungarez të Esztergom. Ai shtoi se “sipas të drejtës ndërkombëtare, është e drejtë sovrane e një vendi të përcaktojë vetë përbërjen e burimeve të tij energjetike.”

Fico mbështeti hapur qëndrimin e Orbán-it, duke e cilësuar synimin e BE-së për të ndërprerë varësinë energjetike nga Rusia si një “vendim politik dhe ideologjik” që, sipas tij, nuk do të godasë vetëm Sllovakinë dhe Hungarinë, por do të dëmtojë të gjithë kontinentin evropian.

Të dy liderët argumentuan se braktisja e furnizimeve përmes naftësjellësit Druzhba është ekonomikisht dhe teknikisht e pamundur, për shkak të pozicionit të tyre gjeografik të mbyllur pa dalje në det, që e bën të vështirë diversifikimin e burimeve energjetike.

Ky qëndrim i vendos ata në kundërshtim me politikat e BE-së dhe SHBA-ve, të cilat po shqyrtojnë masa më të rrepta ndaj eksporteve të mbetura të naftës bruto ruse.

Orbán dhe presidenti sllovak, Peter Pellegrini, e diskutuan këtë çështje javën e kaluar gjatë një takimi me presidentin amerikan Donald Trump. Sipas Ficos, takimi ishte “konstruktiv dhe i frytshëm”.



Read it all at Bota Sot