Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet sportive të Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbetet i ulët, pavarësisht se përbëjnë një pjesë të konsiderueshme (rreth 25 përqind) të popullsisë së vendit. Kjo situatë është reflektuar si në strukturat e Komitetit Olimpik, federatat sportive, por edhe në Ministrinë e Sportit, ku mungesa e shqiptarëve në pozita vendimmarrëse është e dukshme.
Në listën e anëtarëve të Bordit të Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut shihet vetëm emri i një shqiptari, bëhet fjalë për Shaban Sejdiun i cili mbanë pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit të këtij bordi.
Sedat Baftiu, i cili udhëheq me Drejtorinë e Sporteve Luftarake e cila është degë e Komitetit Olimpik, thotë për KosovaPress se krahasuar me numrin e anëtarëve të Komitetit Olimpik, përfaqësimi i shqiptarëve aty është shumë i vogël.
Baftiu: Përfaqësimi i shqiptarëve në Komitetin Olimpik është shumë i vogël
“Gjithë problemi këtu është sepse nuk kemi bashkëpunim, ministria i bën politika e veta, Komiteti Olimpik gjithashtu, federatat janë ndarë në dy pjesë, disa janë me Komitetin Olimpik e disa janë me Ministrinë e Sportit dhe nuk është ajo që duhet...Përfaqësimi i shqiptarëve në Komitetin Olimpik është shumë i vogël në krahasim me të gjithë ata anëtarë, ashtu është politika këtu, nuk e di detajisht se si është në Kosovë dhe si është këtu te ne, për çfarë arsye”, theksoi Baftiu.
Baftiu shton se në federatat sportive ka shqiptarë të përfshirë, por që edhe aty do të duhet përfaqësim më i madh, por që një gjë të tilla nuk po e lejon politika e këtij vendi.
Baftiu: Nëpër federata kemi përfaqësim por jo aq sa duhet
“Në Federatën e Futbollit kemi shqiptarë që janë përfaqësues aty, kemi edhe trajnerë nëpër gjeneratat e ndryshme që janë si U14, U16 e kështu me radhë...në Federatën e Mundjes kemi nënkryetar të federatës, kemi edhe trajnerë nëpër gjeneratat e ndryshme. Në sportet tjera, xhudo kemi shumë pak, boks kemi ashtu pak a shumë, edhe në sporte të tjera ashtu, nuk kemi sa duhet, por kjo është politika e shtetit”, vijoi më tutje Baftiu.
Diskriminimin e shqiptarëve në sport në Maqedoninë e Veriut e potencon edhe ish-presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani. Ai thotë se është e pakuptueshme që sot asnjë federatë sportive nuk udhëhiqet nga shqikptarët atje.
Hasani: Në Maqedoninë e Veriut asnjë federatë nuk ka kryetar shqiptar
“Përderisa edhe zyrtarisht rreth 25 përqind e popullsisë është shqiptare atje, përfaqësimi do të duhej të ishte shumë më i mirë se sa që ekziston...Unë saktësisht e di që për momentin nuk është asnjë kryetar shqiptar që udhëheq ndonjë federatë në Maqedoninë e Veriut, që nuk është në rregull. Mirëpo, në anën tjetër, nuk kemi statistika për atë se sa përqind e popullatës janë aktiv në sport sepse së pari duhet të jesh aktiv në sport, ta praktikisht sportin, të fitosh përvojë e pastaj bëhen trajnerë e administrator të sportit. Por, sidoqoftë, vlerat demokratike, bazuar në ato do të duhej të ishte një përfshirje shumë më e madhe e shqiptarëve në të gjitha institucionet sportive”, ka thënë Hasani.
Por, jo vetëm në Komitet Olimpik, Baftiu bën të ditur se shqiptarët nuk janë të përfaqësuar as në Ministrinë e Sportit të Maqedonisë së Veriut.
Baftiu: Edhe në Ministrinë e Sportit nuk kemi përfaqësim të shqiptarëve
“Para një vitit e kemi pasur Agjencinë për Rini dhe Sport dhe nuk ka pasur mjete adekuate për ta financuar sportin. Tani është bërë ministri, edhe aty janë 12 sektore që janë udhëheqëse dhe asnjëri për momentin nuk është shqiptar. E kemi zëvendësministren e sportit, po mundohen, por unë e kam cekur se ne gjithmonë problemi është te politikat tona që asnjëherë në ato pozicione ku duhet për sportin nuk e vendosim një sportistë por bëhet dikush që nuk është marrë me sport”, deklaroi Bafiu.
Për ta adresuar këtë problem, KosovaPress ka kontaktuar me Presidentin e Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut, Daniel Dimevski, por ai nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e parashtruara.