Ukraina konfirmoi se goditi një fabrikë të madhe mbrojtëse në rajonin e Bryansk të Rusisë, duke përdorur raketa Neptune me rreze të gjatë veprimi në një nga operacionet e saj më të guximshme ndërkufitare deri më sot.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, katër raketa u lëshuan nga një distancë prej rreth 240 kilometrash në fabrikën Karachevsky Elektrodetal, një strukturë që prodhon komponentë për industritë ushtarake dhe hapësinore.
Komandanti i Marinës, Oleksii Neizhpapa konfirmoi se raketat R-360 Neptune u përdorën në sulm. Sulmi shkaktoi një zjarr të madh në vend, i cili mund ta detyrojë ndërmarrjen të mbyllet për një kohë të pacaktuar, thanë zyrtarët ukrainas.
Fabrika e Karachev, e raportuar gjithashtu nga mediat lokale dhe banorët, prodhon një gamë lidhësish dhe komponentësh elektrikë të përdorur si në sistemet ushtarake ashtu edhe në ato civile - nga lidhësit e qarqeve të shtypura dhe për pajisjet ushtarake deri te komponentët për aeroplanët, antenat, stacionet bazë dhe instrumentet matëse.
Në Bryansk, guvernatori Alexander Bogomaz paralajmëroi gjatë natës për një kërcënim raketash, por nuk dha detaje.
Të dielën, një termocentral në Belgorod u godit, duke lënë pjesë të qytetit dhe zona tjera përreth pa energji elektrike.
Guvernatori Vyacheslav Gladkov tha se semaforët ishin fikur, shumë njerëz ishin bllokuar në ashensorë dhe spitalet dhe shërbimet e ujit kaluan në energji rezervë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se forcat e saj qëlluan 230 dronë, gjashtë bomba dhe disa raketa të lëshuara nga HIMARS të furnizuara nga SHBA-të dhe sistemet Vampire të prodhuara nga Çekia gjatë ditës së kaluar.