“San Siro” do të shembet

- Bota Sot

“San Siro” do të shembet

Pas një maratone prej rreth 12 orësh, Këshilli Bashkiak i Milanos miratoi vendimin për shitjen e stadiumit “San Siro” te klubet e qytetit. Në 2032 inaugurohet impianti i ri.

Milano i ka thënë po shitjes së “San Siros” për Milanin dhe Interin!

Impianti historik do të jetë zyrtarisht në pronësinë e dy klubeve milaneze.
Këshilli Bashkiak i Milanos ka dhënë dritën jeshile për shitjen e stadiumit mitik të futbollit italian.

Në një mbledhje që zgjati 12 orë dhe përfundoi në 4 të mëngjesit të së martës, u miratua me 24 vota pro dhe 20 vota kundër vendimi për kalimin e pronësisë nga bashkia te dy skuadrat e qytetit.

Brenda muajit të ardhshëm pritet të bëhet kalimi zyrtar, ndërsa zikaltrit dhe kuqezinjtë duhet të paguajnë 197 milionë euro.

Një event i fundit, ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina, e më pas impianti historik, njëqind vite pas inaugurimit të tij, do të shembet për t’i lënë vendin një tjetri, më modern dhe funksional, në kohë për Kampionatin Evropian të Futbollit 2032.

Pas kësaj faze, të dyja klubet do të diskutojnë detajet për ndërtimin e stadiumit të ri. “San Siro” aktual do të shembet dhe do të ndërtohet një impiant modern me 71 mijë vende dhe që do të jetë funksional jo vetëm në ditët e ndeshjeve.

Puna do të nisë në vitin 2027 dhe objektivi është që stadiumi të përfundojë në vitin 2031, që të jetë gati për të pritur Europianin 2032, që do të organizohet nga Italia dhe Turqia.



Read it all at Bota Sot