Leao kundër 7 lojtarëve të Napolit

- Bota Sot

Leao kundër 7 lojtarëve të Napolit

Rafael Leao ka folur për ndjekësit e tij në Twitch pas rikthimit të tij në fushën e blertë pas lëndimit që e kishte lënë jashtë për një kohë.

Dhe, njërën prej temave që e preku ylli i Milanit ishte mbulimi i tij nga shtatë futbollistë të Napolit në fitoren 2:1 në fundjavën që shkoi, përkundër inferioritetit numerik të Kuqezinjve për një gjysmë ore.

Në një kundërsulm të “Rossoneri” shihet sulmuesi portugez që ndiqet nga plot shtatë futbollistë napolitanë, një pamje që u bë tashmë virale.

Por, Leao bëhet i sinqertë dhe thotë se as që ia kishte idenë se po e ndiqnin shtatë futbollistë mysafirë.

“Sa herë që kundërshtarët vijnë në San Siro, ata duhet ta kuptojnë tërbimin, tërbimin.

Është shumë e rëndësishme për ne.

Të gjithë, madje edhe të rinjtë që kanë ardhur në ekip, e kanë kuptuar ndryshimin që ndodh kur të gjithë janë në San Siro”, shpjegoi ai në lidhje me kthimin e tifozëve “Curva Sud” në tribuna.

“Kjo ndeshje ishte e vështirë, për sa i përket frymëmarrjes, o Zot…

Pastaj mbetëm me dhjetë lojtarë.

Ajo që e shihni në foto ishte një kundërsulm, u përpoqa të bëja diçka, nuk e dija që kishte kaq shumë kundërshtarë atje. I kisha parë vetëm Gutierrez dhe një lojtar tjetër, nuk e kisha idenë se ishin 7 kundër 1”, përfundoi anësori ofanziv, i cili po mundohet ta rikthejë formën e dikurshme në Milanin që e ka nisur mjaft mirë sezonin e ri.



Read it all at Bota Sot