Përballja e sotme në “Montjuïc” mes Barcelonës dhe PSG-së nuk është thjesht një ndeshje e Champions League, por edhe një tjetër kapitull i rivalitetit jashtë fushe mes dy klubeve.
Në të kaluarën, parizienët kanë goditur rëndë katalanasit duke marrë emra të mëdhenj si Neymar, Lionel Messi dhe Ousmane Dembélé. Tani, duket se “armëpushimi” mes tyre nuk ekziston dhe beteja për lojtarë është gati të vazhdojë.
Sipas asaj që raporton e përditshmja Sport, PSG ka vendosur në shënjestër mbrojtësin Eric Garcia. Kontrata e tij me Barcelonën skadon në qershorin e ardhshëm, dhe kjo i jep mundësinë klubit francez ta sigurojë 24-vjeçarin spanjoll me parametra zero.
Garcia, pjesë e përfaqësueses së Spanjës, shihet nga drejtuesit e PSG-së si një përforcim ideal për repartin defensiv, ndërsa për Barcelonën humbja e tij pa asnjë përfitim financiar do të ishte një tjetër goditje e rëndë pas largimeve të bujshme të viteve të fundit.