Shtetet e Bashkuara (SHBA) do t’i sigurojnë Ukrainës informacione inteligjence për sulme me raketa me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës energjetike në Rusi, thanë zyrtarë amerikanë, ndërkohë që administrata e presidentit, Donald Trump po shqyrton dërgimin e armëve të fuqishme që do të mund të godisnin një numër më të madh objektivash brenda Rusisë.
Trump së fundmi ka lejuar që agjencitë e inteligjencës dhe Pentagoni të ndihmojnë Ukrainën në kryerjen e këtyre sulmeve. Zyrtarët amerikanë po kërkojnë nga aleatët e NATO-s që të ofrojnë mbështetje të ngjashme.
Ndajnë gjerësisht të dhëna inteligjente me Ukrainën - kjo është shenja e fundit që lideri amerikan po thellon mbështetjen për Ukrainën, ndërsa përpjekjet e tij për të nxitur negociatat e paqes po ngecin.
Zyrtarët thonë se kjo është hera e parë që administrata Trump do të ndihmojë në sulme ukrainase me raketa me rreze të gjatë mbi objektivat energjetike brenda territorit rus.
Derisa SHBA-ja ka ndihmuar Ukrainën prej vitesh me përdorimin e dronëve dhe raketave, ndarja e informacionit inteligjent do të lejojë që Ukraina të godasë me më shumë precizitet rafineritë, tubacionet e naftës, elektranet dhe infrastrukturën tjetër larg kufijve të saj, me qëllim që Kremlini të humbasë të ardhurat dhe energjinë e nevojshme për të vazhduar agresionin.
SHBA-ja po konsideron gjithashtu dërgimin e raketave Tomahawk dhe Barracuda, si dhe të raketave të tjera që luhaten nga toka dhe ajri, thanë zyrtarë të tjerë të administratës për Wall Street Journalin.
Kombinimi i të dhënave inteligjente me armët më të fuqishme mund të ketë një impakt shumë më të madh sesa sulmet ukrainase që janë bërë më parë ndaj Rusisë, duke shkaktuar dëme më të mëdha në infrastrukturën e saj energjetike dhe duke shtyrë mbrojtjen ruse ajrore në limit.
Zyrtarët amerikanë pretendojnë se po presin direktiva me shkrim nga Shtëpia e Bardhë përpara se të fillojnë të ndajnë të dhënat inteligjente të nevojshme.