Vieri: Interi favorit për titullin

- Bota Sot

Vieri: Interi favorit për titullin

Ish-sulmuesi i njohur, Christian Vieri, ka folur hapur për disa tema të nxehta të futbollit italian, nga gara për titullin e Serisë A, te demolimi i ‘San Siros’, tek besimi te trajneri Chivu dhe rritja e të riut Pio Esposito.

Pa hezitim, Vieri e nisi bisedën me një mendim të fortë për stadiumin e Milanos:

“San Siro do të shembet? Më në fund! Ishte koha. Milano meriton një impiant modern dhe në lartësinë e qytetit. Edhe Ëembley-n e shembën për të ndërtuar një stadium më bashkëkohor.

Nuk mund të mbetemi gjithmonë mbrapa. Kujtimet mbeten, por nuk është e pranueshme të mos mund të presim finale të mëdha si ajo e Champions apo Europianit vetëm sepse nuk kemi një stadium modern.”

Kur u pyet për garën e titullit, Vieri nuk kishte dyshime:

“Interi është një hap përpara të tjerëve. Ka cilësi, përvojë dhe një skuadër të kompletuar. Natyrisht, nuk them se duhet patjetër të fitojë, sepse kampionati është i ekuilibruar dhe mund të ndodhë gjithçka. Por nëse duhet të vendosja një bast, do ta vija te zikaltrit.”

Vieri u ndal edhe te tekniku aktual i Interit:

“Kam dëgjuar shumë fjalë të mira për Chivu. Më thonë se është një trajner punëtor i madh, një stakanovist. Duhet durim dhe besim tek ai. Nuk mund të flitet për krizë apo shkarkim vetëm pse humbet një ndeshje me Udinese-n. Duhet kohë që të tregojë vlerat e tij.”

Ish-sulmuesi foli edhe për të riun Pio Esposito, autor i një goli të rëndësishëm ndaj Cagliari-t dhe që pritet të ketë më shumë hapësirë pas dëmtimit të Thuram-it:

“Besoj se është gati, fizikisht dhe teknikisht. Edhe në arenën ndërkombëtare di të tregojë forcë. Ka uri, punon fort dhe ka dëshirë të arrijë lart. Duhet thjesht pak kohë. Por mbi të gjitha, duhet lënë të luajë i qetë, pa presione të panevojshme.”

Për presionin që shoqëron një fanellë të rëndë si ajo e Interit, Vieri ishte i qartë:

“Presioni duhet të jetë një stimul. Futbollisti i madh është ai që e kthen frikën në adrenalinë. Ndoshta nuk fle natën para një derby ose një ndeshjeje të Champions-it, por kjo është benzina që të shtyn të japësh maksimumin.”

Në fund, një koment edhe për Kombëtaren italiane të drejtuar nga Gattuso:

“Në ndeshjet e fundit më ka bindur. Është e vërtetë që vuajmë shumë për t’u kualifikuar në Botëror, nuk e di pse. Tani duhet të fitojmë ndeshjet që na presin, të shënojmë sa më shumë gola dhe, nëse do të na duhet play-off-i, të japim gjithçka. Kam besim tek Rino dhe tek djemtë.”.



Read it all at Bota Sot