Berke Ozer pa popullaritetin e tij të rritej ndjeshëm pasi priti tre penallti në ndeshjen e luajtur kundër Roma-s.
Në takimin e vlefshëm për Europa League, të fituar 1-0 nga Lille në Olimpico, portieri turk arriti t’i priste dy penallti Dovbyk dhe një Soulé, pasi gjyqtari vendosi ta përsëriste dy herë.
Ishte një mbrëmje e paharrueshme për portierin e lindur në vitin 2000, i cili, në ekipin francez, ka marrë vendin e Chevalier, me këtë të fundit që ka zëvendësuar Donnarumma-n te PSG.
Si ia doli? Përveç dëshirës për të kompensuar një fillim të vështirë të sezonit, Berke Ozer kishte një motivim të veçantë: të dashurën e tij.
I emocionuar dhe pothuajse mosbesues, ai ndau një histori pas ndeshjes për Canal+:
“Ishte një natë e çmendur. Para ndeshjes, i premtova të dashurës sime se nuk do të pësoja gol. Ajo më tha se kishte kaluar ca kohë që kur kisha mbajtur portën e paprekur.
“Nuk mendoja se do të ishte kaq e vështirë, por në fund ia dola. As nuk e di si e bëra, për të qenë i sinqertë. Nëse do të kishte pasur një të katërt, mund ta kisha pritur edhe atë.
“Por ishte një natë e jashtëzakonshme për ekipin. Brenda meje, ajo që ka rëndësi janë tre pikët, jo tre penalltitë e pritura”.