Juventusi vazhdon të vuajë në Europë.
Barazimi 2:2 në fushën e Vilareal është vetëm kapitulli më i fundit i një historie që po zgjatet prej kohësh: bardhezinjtë, jashtë Italisë në Champions, kanë fituar vetëm një herë në dhjetë takimet e fundit.
Dhe ajo fitore erdhi në mënyrë të çuditshme, me Lajpzig sezonin e kaluar, kur skuadra e Mota-s ia doli përkundër inferioritetit numerik.
Në Spanjë, skuadra e Tudor bëri një rikthim pas pushimit, duke e kthyer disavantazhin dhe duke menduar se kishte ndeshjen nën kontroll.
Megjithatë, pas një traverse që mund të mbyllte llogaritë, erdhi goli i Veiga-s që vulosi një tjetër rezultat të hidhur. Dhe shifrat flasin qartë: pesë barazime, katër humbje dhe vetëm një fitore në dhjetë përballjet e fundit larg Torinos.
Shumë pak për një klub që pretendon të rikthehet në elitën e Europës.
Lista e ndeshjeve është domethënëse: nga barazimi me Vilarreal, te disfata me PSV e Makabi, nga rrëshqitjet me Benfikan e PSG, e deri tek gabimet me Bryzh e Aston Vilan.
Rezultate që tregojnë se bardhezinjtë vuajnë një problem strukturor, jo vetëm episodik.
Ku qëndron defekti? Në Spanjë, në debutimin e Tudor në Champions jashtë fushe, u pa një skuadër pa personalitet. Në pjesën e parë Juventusi u tregua i pasigurt dhe shpesh i ekspozuar ndaj presionit.
Në fund, me zgjedhjen për t’u mbrojtur, bardhezinjtë u shfaqën të brishtë, tërhequr shumë prapa, pa guxim e pa energji.
Nuk është thjesht çështje taktike, por edhe fizike e mendore. Në minutat e fundit disa lojtarë u dukën të shteruar, të paqartë, të paaftë për të reaguar.
Për të rikthyer besimin dhe qetësinë duhet kohë, por koha në Champions është gjithmonë e kufizuar.
Nëse Juventus nuk arrin të gjejë forcën për të përballuar transfertat evropiane me personalitet e vendosmëri, rrezikon të mbetet një hap pas.
Për të përparuar në këtë kompeticion nuk mjafton vetëm cilësia individuale: duhen identitet, forcë mendore dhe përgatitje fizike. Sot, bardhezinjtë ende nuk i kanë këto armë në dorë. Dhe mallkimi i transfertave në Champions, nga Vilarreal te Vilarreal, vazhdon të rëndojë mbi shpatullat e tyre.
Tudor ka ende shumë punë. Ai ka detyrën e vështirë për të menaxhuar një grup lojtarësh me kualitet, sidomos në fazën offensive, por që nuk e njohin ende shumë mire një tjetrin. Juventus ende nuk është një skuadër e plotë, e balancuar dhe e gatshme për të dhënë përgjigjet që të gjithë tifozët juventinë presin në fushën e blertë.