Të dielën në mbrëmje, Milani do të zbresë në “Allianz Stadium” përballë Juventusit

- Bota Sot

Të dielën në mbrëmje, Milani do të zbresë në “Allianz Stadium” përballë Juventusit

Masimiliano Alegri është gati të përje tojë një ndeshje të veçantë.

Të dielën në mbrëmje, Milani i tij do të zbresë në “Allianz Stadium” përballë Juventusit, klubit ku kaloi tetë vite të mbushura me suksese.

Për trajnerin livornez, kjo nuk është thjesht një sfidë kampionati, por një takim që përzien emocione, kujtime dhe ambicie të reja.

“Do të jetë emocionuese të shkoj në Torino, aty kam kaluar tetë vite të jetës sime”, deklaroi Alegri pas fitores ndaj Napolit.

Por tani çdo vëmendje është e përqendruar tek e tashmja: një Milan që fluturon lart dhe që kërkon të mbajë vendin e parë, përballë një Juventusi në krizë rezultatesh. Kuqezinjtë vijnë me moral të lartë pas suksesit bindës ndaj kampionëve në fuqi.

Ndërkohë, bardhezinjtë kanë ngecur: katër barazime radhazi mes Serie A dhe Champions kanë vënë në presion trajnerin Tudor.

Një humbje me Milanin mund ta trondiste rëndë stolin e tij. Alegri, pa angazhimin e Champions në këtë periudhë, ka patur kohë të përgatisë skuadrën me qetësi. Strategjia e tij është e qartë: të përfitojë nga dobësitë e ish-ekipit të tij dhe të japë një goditje të fortë në garën për titull. Skuadra e Milanit do të ketë disa ndryshime të detyruara. Estupinian është i pezulluar pas kartonit të kuq dhe vendin e tij pritet ta marrë i riu Bartesagi, edhe pse nuk përjashtohet një zgjidhje ndryshe nga Alegri.

Në mbrojtje, situata e Tomorit mbetet e paqartë pas shqetësimit muskulor ndaj Napolit, ndaj De Uinter qëndron në gatishmëri për ta zëvendësuar. Në mesfushë, treshja Modriç-Rabiot-Fofana ka dhënë ekuilibër dhe pritet të konfirmohet sërish. Për trajnerin, kjo është zona që i garanton stabilitet dhe eksperiencë. Në sulm, Pulisiç është i paprekshëm falë formës së shkëlqyer.

Në krahun tjetër, gara është e hapur mes Nkunku, Gimenez dhe Leao. Leao, i sapokthyer nga dëmtimi, ende nuk është në gjendjen më të mirë. Alegri e sheh atë si “kartë të fshehtë”: një armë për t’u futur në pjesën e dytë dhe për të ndryshuar ekuilibrat e ndeshjes.

Një lojtar i tillë, edhe për pak minuta, mund të bëhet vendimtar. Në Torino, historia personale e Alegrit ndërthuret me të tashmen e Milanit.

Një fitore ndaj ishskuadrës do t’i jepte kuqezinjtë një shtysë të madhe psikologjike dhe do të rriste distancën nga një rival i drejtpërdrejtë. Por mbi të gjitha, do të ishte një mesazh i qartë: ky Milan është gati të luftojë seriozisht për titull.

Për Juventusin, përkundrazi, kjo është një ndeshje që nuk mund të humbet. Bardhezinjtë kërkojnë të dalin nga kriza dhe të gjejnë besimin e munguar. Për Tudor është një test personal, për Alegrin një mundësi e artë për të shkruar një kapitull të ri, këtë herë në kurriz të së shkuarës së tij.



Read it all at Bota Sot