Kancelari Merz bën thirrje për solidaritet midis gjermanëve

- Bota Sot

Kancelari Merz bën thirrje për solidaritet midis gjermanëve

Kancelari gjerman Friedrich Merz iu drejtua të mbledhurve në landin e Zarës për të përkujtuar 35 vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë.

Midis të pranishmëve ishte i ftuari i nderit, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe gruaja e tij Brigitte.

"Festojmë 35 vjet unitet në paqe. "Për dekada të tëra ishim të ndarë, por së shpejti do të kemi jetuar në një vend aq gjatë sa jetonim në vende të ndara", tha kancelari gjerman Friedrich Merz në fjalimin e tij.

Merzi e quajti ditën një "rast festiv" dhe kujtoi se sa shumë ndryshime kishin ndodhur që nga rënia e Murit të Berlinit.

Ai foli për nevojën për një "unitet të ri" në Gjermani dhe shtroi pyetjen se çfarë lloj vendi donte të ishte Gjermania në të ardhmen.

"Aleanca të reja autokracish po formohen kundër nesh dhe po sulmojnë demokracinë liberale si mënyrë jetese", deklaroi Merzi.

"Rendi ekonomik botëror po rishkruhet. Barrierat doganore po ngrihen dhe egoizmi po rritet”, deklaroi ai. "Kjo po na dobëson edhe ekonomikisht.”

Lideri gjerman foli për ndikimin që ka migrimi i parregullt në shoqëri

"Vitet e migrimit të parregullt dhe të paorientuar në Gjermani e kanë polarizuar vendin tonë dhe kanë krijuar përçarje të reja në shoqërinë tonë”, tha Merzi, duke u bërë thirrje gjermanëve të njohin vlerën e të jetuarit në një demokraci të qeverisur nga sundimi i ligjit.

"Politika, shteti dhe qeveria kanë përgjegjësinë e tyre”, tha ai. "Por të gjithë ne, të gjithë qytetarët e vendit tonë, duhet ta kuptojmë madhësinë e sfidës.

Macroni:  Ribashkimi i Gjermanisë " pikë kthese në histori"

Presidenti francez Emmanuel Macron, i ftuari i nderit, mbajti një fjalim. Emmanuel Macroni e quajti një nder të madh ftesën për të festuar 35-vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë dhe tha se e shihte "me përulje" ftesën.

Në fjalimin e tij, pjesërisht në gjermanisht, ai e përshëndeti ribashkimin e Gjermanisë duke e përshkruar atë si "një pikë kthese në histori".

Macroni tha se ishte 12 vjeç më 3 tetor 1990, por se e kishte kuptuar se kishte qenë "diçka e veçantë po ndodhte".

Lideri francez pohoi se 35 vjet më parë, u bashkua jo vetëm Gjermania , por edhe Evropa. Ribashkimi gjerman gjithashtu kontribuoi ndjeshëm në bashkimin evropian.

"Kjo dukej e pamundur. Përfytyroni 75 vjet më parë, si mund ta përfytyronte dikush që armiqtë tanë, kundër të cilëve bëjmë luftëra të bëhen miq?" tha Macroni.

Brishtësia e paqes dhe mirëqënies

Lideri francez pohoi se pavarësisht premtimit për paqe dhe mirëqënie që erdhi me ribashkimin dhe gjithçka që është arritur, "ajo mbetet e brishtë".

"Ka përçarje, ndarje në demokracitë tona", tha Macroni, duke shtuar se ishte e nevojshme të kujtojmë se çfarë ndodhi 35 vjet më parë.

"Brezi ynë tani ka një zgjedhje: të hezitojë, të lodhet, të zgjedhë ekstreme që janë premtime të rreme, ose të ngrihet dhe të jetojë epokën tonë të re dhe ta bëjë atë një epokë të guximshme dhe të vendosur, së bashku", tha Macroni mes duartrokitjeve.

Festimet zyrtare janë mbajtur në kryeqytetin e landit të Zarës me rastin e Ditës së Ribashkimit Gjerman që nga dita e djeshme.

Gjermania u ribashkua më 3 tetor 1990. Pas revolucionit paqësor në RDGJ në vjeshtën e vitit 1989, landet federale të Brandenburgut, Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore, Saksonisë, Saksoni-Anhaltit dhe Turingisë u bënë pjesë e Republikës Federale të Gjermanisë.

Ndërkohë, ceremonia zyrtare ka përfunduar. / DW



Read it all at Bota Sot