Ndërprerja masive e energjisë në Spanjë, raporti paraprak zbulon arsyen

- Bota Sot

Ndërprerja masive e energjisë në Spanjë, raporti paraprak zbulon arsyen

Ndërpreria masive e energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali më 28 prill ka hyrë në histori si rasti i parë i njohur në Evropë, dhe ndoshta në botë, ku lidhet me mbingarkesën e tensionit të rrjetit elektrik, sipas një raporti paraprak të publikuar nga një grup prej 45 ekspertësh evropianë të fushës së energjisë.

“Nuk kemi hasur kurrë më parë një blackout të shkaktuar nga një seri incidentesh me mbitension, as në Evropë, as në ndonjë dokumentacion global,” deklaroi Damien Cortinas, president i bordit të ENTSO-E, rrjeti evropian i operatorëve të transmetimit të energjisë.

Sipas tij, është ndërprerja më e rëndë e energjisë elektrike në Evropë në dy dekadat e fundit, që krijoi kaos në të gjithë gadishullin Iberik. Qytetarët mbetën pa energji elektrike, internet dhe sinjal telefonik për orë të tëra.

Raporti paraprak nuk jep ende shkaqet përfundimtare, por përshkruan me detaje zinxhirin e ngjarjeve teknike që çuan në ndërprerjen totale të energjisë.

Sipas burimeve, 30 minuta para blackout-it, në rrjetin spanjoll dhe portugez u regjistruan dy episode me luhatje të forta tensioni, intensiteti dhe frekuence.

Këto luhatje çuan në çaktivizim të njëpasnjëshëm të centraleve elektrike, si termocentrale ashtu edhe njësi me burime të rinovueshme. Ekspertët thonë se shkaku i këtyre ndërprerjeve nuk është ende i qartë.

Raporti përfundimtar pritet të publikohet në tre mujorin e parë të vitit 2026, dhe do të përfshijë shkaqet kryesore dhe rekomandime teknike për të shmangur episode të ngjashme në të ardhmen.

Ky incident pason një sërë problemesh me dronë dhe sigurinë ajrore në Evropë, duke ngritur pyetje më të mëdha për sigurinë e rrjeteve në rajon.



Read it all at Bota Sot