Shpërthen motivi te Prishtina, synojnë vetëm fitore edhe ndaj Ballkanit

- Bota Sot

Shpërthen motivi te Prishtina, synojnë vetëm fitore edhe ndaj Ballkanit

Në kuadër të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës, sot do të zhvillohet njëri nga derbit më të mëdhenj në futbollin vendor. Në Kampion Nacional në Hajvali, do të ballafaqohen Prishtina dhe Ballkani.

Këto dy skuadra e kryesojnë renditjen tabelare me vetëm një pikë diferencë në të mirë të klubit nga kryeqyteti i Kosovës. Optimizmi në kampin bardhekaltër para kësaj sfide, është shumë i madh, sidomos pas një nisjeje të përkryer të këtij edicioni.

Trajneri i KF Prishtinës, Arsim Thaqi, thotë për KosovaPress se Prishtina gjithmonë e nis sezonin me synim që të shpallet kampion dhe sipas tij, ashtu është edhe këtë vit.

Thaqi: Në çdo rrethane që luan, Prishtina gjithmonë lufton për titull

“Në çfarëdo rrethane që garon, çfarë niveli të lojtarëve që i ka, Prishtina gjithmonë e fillon kampionatin për ambicie të mëdha, ambiciet e mëdha kuptohet që janë të fitohet titulli dhe të luajë në Evropë, të njëjtën gjë e ka bërë edhe këtë vit Prishtina. Për dallim nga këto vitet e fundit, Prishtina këtë vit ka filluar shumë mirë sezonin dhe do të isha shumë i privilegjuar të vazhdojmë në këtë mënyrë dhe ta mbajnë formën lojtarët çfarë e kanë pasur deri më tani edhe besoj që lojtarët i kanë merituar këto rezultate”, thekson Thaqi.

Thaqi e vlerëson jashtëzakonisht shumë rivalin e sotëm, Ballkanin, por thotë se skuadra e tij e ka cilësinë për ta fituar edhe këtë ndeshje.

Thaqi: Ballkani është ndër skuadrat më cilësore në futbollin e Kosovës

“Shpresojmë tani ta kemi, këtë ndeshjen e fundit që e kemi, që është një test mendoj i rëndësisë së veçantë, një konkurrent tjetër siç është Ballkani që vitet e fundit normal ka qenë njëra prej ekipeve më cilësore në futbollin e Kosovës, nëse e kalojmë edhe këtë test, atëherë normal Prishtina shkon me hapa të sigurt drejt mbajtjes së vendit të parë që është edhe synimi i klubit tonë...Mendoj që Prishtina e ka cilësinë, e ka nivelin, por ajo që po tregohet nga ndeshja në ndeshje, lojtarët po tregojnë karakterin e tyre se vërtetë këtë vit e kanë marr me mjaftë seriozitet dhe për këto rezultate janë ata meritor”, thotë Thaqi.

E supertalenti i Prishtinës, Rin Ahmeti është i qartë në synimin e tij. Ai thotë se Prishtina luan kundër Ballkanit vetëm për fitore.

Ahmeti: Ndaj Ballkanit luajmë vetëm për fitore, asgjë tjetër

Prej këtij derbi vetëm fitore, asgjë tjetër. Ekipi gjithë javën ka punuar në intensitet shumë të mirë dhe shpresojmë që të shtunën t’i marrim tri pikët që meritojmë”, shprehet shkurtimisht Ahmeti.

Edhe kapiteni Leotrim Kyreziu, beson në fuqinë e shokëve të skuadrës dhe shton se synimi i vetëm është fitorja, përkundër cilësive të mëdha që posedon skuadra nga Suhareka.

Kryeziu: Këtë sezon synojmë titullin e kampionit të Kosovës

“Prishtina gjithmonë është për titullin kampion sepse është ekip i madh dhe normalisht edhe ky sezon është që ta synojmë titullin kampion...Ndeshja me Ballkanin është derbi sepse edhe kemi të bëjmë me një ekip që është i mirë por, ne jemi përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje dhe synojmë fitoren”, deklaron Kryeziu.

Pas shtatë xhirove të zhvilluara, Prishtina është lidere e tabelës me 16 pikë, ndërsa Ballkani është i dyti me vetëm një pikë më pak.



Read it all at Bota Sot