“Nuk fjeta natën kur u kualifikuam në Europian”, Silvinjo: Shqipëria në zemrën time, më ka folur Mançini

- Bota Sot

“Nuk fjeta natën kur u kualifikuam në Europian”, Silvinjo: Shqipëria në zemrën time, më ka folur Mançini

Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, rrëfeu në “Klan News”, njohjen e shqiptarëve dhe emërimin në stol. Ai zbuloi se për shqiptarët ka dëgjuar për herë të parë nga Roberto Mançini te Interi dhe Rei Manaj.

Në lidhje me drejtimin e Kombëtares, braziliani theksoi se darka me Armand Dukën në Milano, ishte vendimtare. 

“Ishte shumë e shpejt nga lojtar në trajner. U tërhoqa në vitin 2010 dhe pas një viti e gjysmë, nisa si ndihmës trajner. Gruaja më shikonte dhe më thoshte se ishte një sfidë tjetër për mua. Kishte të drejtë.

E kam thënë edhe më parë. Kur dëgjova për herë të parë për Shqipërinë, ka qenë tek Interi. Më foli Mançini. Ai më foli për lojtarët shqiptarë, për guximin dhe vendosmërinë e tyre. Më tregoi për Manajn dhe aty dëgjova për herë të parë.

Një darkë me Dukën në Milano ishte momenti vendimtar. Nga dita e parë kam gjetur gjithmonë mbështetje”, theksoi tekniku kuqezi.

Silvinjo kujtoi edhe kualifikimin në Europian, duke thënë se nuk fjeti natën, kur u arrit suksesi ndaj Moldavisë. Mes emocionesh, trajneri u shpreh se Shqipëria do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij.

“Europiani ishte moment shumë i bukur, e shijuam të gjithë. Ishte një punë serioze për të ardhmen. Të shkoje në Gjermani në Europian, ishte diçka madhështore. Shqipëria do të mbetet në zemrën time. Fitoret ndaj Polonisë dhe Çekisë, ishin shenjë që gjithçka do të shkonte mirë dhe kjo ishte rruga e duhur. Duhet të falënderoj të gjithë, lojtarët dhe stafin, futbolli nuk bëhet vetëm.

Pas fitores me Moldavinë gjithçka shpërtheu në Tiranë. Nuk fjeta atë natë. Kuptuam se kishim bërë diçka shumë të madhe. Jo vetëm për ne, por për të gjithë vendin.

Sinqerisht pas shortit në Europian nuk u tremba dhe nuk kisha frikë. Përgjegjësia ishte shumë e madhe, por unë isha krenar për mënyrën si luajtëm. E përfaqësuam shumë mirë vendin tonë.

Shumë emocione në Europian. Kundër Spanjës, Italisë dhe Kroacisë, ishte shumë emocion, sepse i njihja disa lojtarë. Për mua ishte një mundësi për të reflektuar, sepse më mungoi diçka: Të shijoja më shumë Europianin. Ndoshta herën tjetër do e shijoj më shumë.”

Ndër të tjera, ai tha se Kombëtarja nuk bëri mirë në Ligën e Kombeve.

“Unë jam një nga ata që më pëlqen të flas për detajet. Për momentet e mira dhe të këqija. Në Ligën e Kombeve, grupi nuk më pëlqeu. Duhet të luanim nga dy ndeshje me të gjitha. Nuk bëmë mirë në ndeshjen e fundit dhe ramë në Ligën C. Kur fitojmë, jemi të gjithë, po ashtu edhe kur humbim. Jam i zhgënjyer sigurisht”, deklaroi Silvinjo.



Read it all at Bota Sot