Martini: Fitore e vuajtur

- Bota Sot

Martini: Fitore e vuajtur

Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, doli i kënaqur pas fitores 1-0 ndaj Elbasanit në “Loro Boriçi”, që i ngjiti shkodranët në krye të Superiores. Tekniku vlerësoi reagimin dhe karakterin e skuadrës, por pranoi se duhej të kishin mbyllur ndeshjen më herët.

“Duhej të kishim shënuar më shumë gola në pjesën e parë.

Krijuam shumë, goditëm edhe shtyllën, por mungoi finalizimi.

Megjithatë, komplimente për djemtë, dhanë gjithçka në fushë dhe merituan plotësisht këto tre pikë,” – u shpreh Martini.

“Kishim mungesa të rëndësishme. Murataj nuk ishte stërvitur gjithë javën, ndërsa Bismark e Kuro do të na kishin dhënë më shumë ritëm. Në pjesën e dytë ramë pak, por nuk i dhamë hapësira Elbasanit. Vetëm një ose dy herë na rrezikuan seriozisht.”

Martini u ndal edhe te mënyra e lojës dhe përgatitja taktike:

“Para ndeshjes folëm me Jagon dhe Kastratin për të sulmuar nga krahët. Ata e bënë perfekt në pjesën e parë. Më gëzon fakti që djemtë në ndeshje po tregojnë atë që bëjnë çdo ditë në stërvitje: dëshirë, përqendrim dhe shpirt gare.”

Në fund, trajneri kuqeblu paralajmëroi për rrezikun më të madh që e sheh përpara:

“Kundërshtari më i fortë tani është euforia. Duhet të mbetemi me këmbë në tokë, sepse kampionati është i gjatë dhe çdo ndeshje është një betejë më vete.”



Read it all at Bota Sot