Pas fitores 1-0 ndaj Elbasanit në “Loro Boriçi”, që i ngjiti shkodranët në krye të Superiores, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, foli me tonë të qarta besimi dhe ambicieje.
Kreu i klubit kuqeblu e cilësoi suksesin si plotësisht të merituar dhe paralajmëroi se skuadra e tij ende nuk ka arritur kulmin.
“Në Shkodër themi ‘moti i mirë shihet në nadje’. Vllaznia është me meritë aty ku është. Në disa ndeshje kemi lënë pikë që mund t’i kishim marrë, por po marrim atë që na takon.
Më pëlqen ritmi dhe rritja e skuadrës, edhe pse në disa momente duhet ta zgjidhnim ndeshjen më shpejt,” – tha Xhaferi.
Presidenti vuri në dukje rëndësinë e rikthimit të tifozërisë dhe theksoi se emocionet në Shkodër duhet të shndërrohen në forcë, jo në eufori:
“Tifozeria është zemra e këtij ekipi. I ftoj të jenë gjithnjë pranë nesh. Euforia është pjesë e Shkodrës, por ne do ta kontrollojmë. Kjo Vllazni do të shpërblehet për mundin dhe djersën e saj.”
Në lidhje me përbërjen e ekipit, Xhaferi u shpreh se Vllaznia ka ruajtur boshtin, por është rinovuar dhe forcuar me afrime cilësore:
“Kemi marrë një qendërmbrojtës që do jetë gati ndeshjen e ardhshme. Mendoj se ekipi është i kompletuar në çdo repart. Gjithsesi, merkatoja është gjithmonë e hapur, mund të ketë lëvizje në janar.”
Në fund, presidenti shkodran dha mesazhin e qartë:
“Kjo nuk është ende Vllaznia më e mirë. Ajo e vërteta do të vijë në javët që pasojnë".