Tudor gati ta hedhë titullar ndaj kuqezinjve

- Bota Sot

Tudor gati ta hedhë titullar ndaj kuqezinjve

Pas katër barazimeve radhazi që kanë ngadalësuar ecurinë e Juventusit, trajneri Igor Tudor duket i vendosur të ndryshojë diçka të rëndësishme në sulm.

Në prag të sfidës së madhe me Milanin, kroati është gati t’i japë shansin titullarit sulmuesit serb Dushan Vlahoviç, i cili deri tani është aktivizuar kryesisht nga stoli.

Rasti i humbur nga Xhonatan Dejvid në ndeshjen ndaj Vilarealit, kur kanadezi gaboi përballë portës së zbrazët, mund të ketë qenë pika e kthesës. Ajo lëvizje e pasigurt, në një moment kyç, e ka bindur trajnerin se është koha të ndryshojë strategji dhe të rikthejë Vlahoviçin që nga minuta e parë.

Serbi ka shënuar katër gola këtë sezon, të gjithë si zëvendësues, duke treguar se ka ende nuhatje për gol dhe mund të sjellë atë që i ka munguar Juventusit në javët e fundit: konkretizimin.

Edhe pse herët kur është aktivizuar si titullar nuk ka shkëlqyer, për Tudor-in duket se nuk ka më hapësirë për eksperimente. Në këtë moment, bardhezinjtë kanë nevojë për garanci dhe për një lojtar që mund të mbajë peshën e repartit ofensiv. Kenan Ildiz është një siguri, por është i ri dhe nuk mund ta përballojë gjithçka i vetëm.

Openda ende nuk ka arritur nivelin që pritej, ndërsa Dejvid, pas atij gabimi të rëndë, rrezikon të ulet në stol për të rifituar qartësinë dhe saktësinë.

Tifozët kërkojnë reagim, klubi pret fitore dhe Tudor e di se për të mbajtur skuadrën në garë për titull nuk mjaftojnë vetëm idetë taktike.

Duhet vendosmëri, konkretësi dhe gola. Pikërisht këto janë armët që Vlahoviç pritet të sjellë, nëse rikthimi i tij si titullar do të jetë i suksesshëm.

E ardhmja e afërt e sezonit bardhezi mund të përcaktohet nga ky ndryshim. Një vendim që mbart rrezik, por edhe mundësi: rikthimi i një sulmuesi që, kur është në formë, mund të bëhet armë fatale në duelet e mëdha. Për Juventusin dhe Tudor-in, ndeshja kundër Milanit nuk është thjesht një sfidë prestigji, por një pikë kthese ku fati i sezonit mund të marrë drejtim të ri.



Read it all at Bota Sot