FC Kosova vijon ngjitjen drejt kreut

- Bota Sot

FC Kosova vijon ngjitjen drejt kreut

Skuadra e futbollit Kosova e Dusseldorfit nuk ka të ndalur në Landesliga, kësaj radhe e mposhti me rezultat 2:1 TVD Velbertin.

“Pas tetë javësh kampionat, FC Kosova vijon ngjitjen e saj mbresëlënëse në tabelën e klasifikimit, duke u pozicionuar në vendin e katërt me 15 pikë – pozicioni më i lartë që nga fillimi i sezonit.

Ashtu siç ishte parashikuar, fitorja ndaj TVD Velbert ishte detyrim për skuadrën tonë, e cila ia doli me sukses të marrë një fitore minimale 2:1, por tejet të vlefshme.

Në pjesën e parë, Egzon Zendeli, mesfushori me tipare sulmuese, vazhdoi formën e tij të shkëlqyer duke shënuar golin e parë në minutën e 36-të, pas një pasimi të saktë nga B. Fazlija. Ky i fundit do të gjente vetë rrugën e rrjetës në pjesën e dytë, pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga A. Aliu, duke e çuar rezultatin në 2–0.

Kundërshtari arriti të ngushtojë shifrat në 2–1, por loja mbeti nën kontrollin e mirë të djemve tanë, të cilët menaxhuan me maturi avantazhin deri në fund.

Kjo fitore e merituar e djemve të trajnerit Alfonso del Cueto konfirmon formën e mirë të skuadrës, e cila po konsolidohet nga ndeshja në ndeshje. Me këtë ritëm dhe me disa paraqitje të mira në vazhdim, FC Kosova synon të jetë shumë shpejt mes ekipeve kryesuese të Landesligës.

Duhet theksuar se muaji tetor do të jetë mjaft i ngjeshur për FC Kosova, pasi përveç katër ndeshjeve të Landesligës, skuadra do të zhvillojë edhe dy duele shtesë: një ndeshje kupe ndaj FC Bosporus dhe, më e rëndësishmja, finalja e Kupës së Mërgatës ndaj FC Kosova e Gjenevës, që do të zhvillohet më 26 tetor, ora 14:00.

Ndeshja e radhës do të luhet sërish në fushë kundërshtare, pas një jave, përballë TSV Solingen, e cila vjen pas fitores në derbin lokal ndaj DV Solingen, por aktualisht mban vendin e 13-të me 10 pikë.

Me përkushtimin maksimal të lojtarëve, stafin teknik, drejtuesve të klubit dhe mbështetësve që po shtohen nga java në javë, FC Kosova po tregon se është gati të luftojë për vendet e para”, njofton FC Kosova.



Read it all at Bota Sot