Wojciech Szczęsny, në një intervistë për “TVP Sport”, rrëfeu me humor arsyet e rikthimit të tij të papritur në fushë, 3 muaj pasi kishte zyrtarizuar “pensionimin”, duke zbuluar se vendimin për të nënshkruar me Barcelonën e nxiti kryesisht gruaja e tij:
“Akoma nuk e di nëse gruaja e bëri sepse e pa si një mundësi të madhe për mua, apo thjesht donte të lirohej nga unë në shtëpi…”
Pas tërheqjes nga futbolli, Szczęsny po përqendrohej te familja.
Si baba i dy fëmijëve, Liam dhe Noelia, ai tha: “Të jesh baba është sfida më e vështirë, por edhe më e bukura që kam përjetuar.
Nuk e di sa mirë po ia dal, duhet të pyesni gruan dhe fëmijët, por kjo është ‘ndeshja’ që më sjell më shumë kënaqësi”.
Megjithatë, ishte gruaja e tij Marina që e shtyu të rikthehej: “Nuk doja më të luaja, po përgatitesha të isha baba me kohë të plotë. Marina insistoi. Në fund ia doli, jam shumë mirënjohës ndaj saj”.
Me humor dhe përzemërsi, Szczęsny tregoi anën më personale të rikthimit, që surprizoi shumë, por tani e gjen veten duke mbrojtur portën e Barcelonës me të njëjtin pasion dhe vendosmëri si gjithmonë.