Tudor kopje e Thiago Mottës

- Bota Sot

Tudor kopje e Thiago Mottës

Juventusi po përjeton një fillim sezoni që rikthen “fantazmat e vjetra”.

Ashtu si një vit më parë, kur në stol ishte Thiago Motta, edhe tani me Igor Tudor në drejtim, “Zonja e Vjetër” vuan nga e njëjta sëmundje: shumë barazime dhe pak gola.

Krahasimi mes dy sezoneve është tronditës,  pas gjashtë javësh, shifrat janë identike.

Në kampionatin 2024/25, pas gjashtë ndeshjeve, Juventus kishte 12 pikë, tre fitore, tre barazime dhe asnjë humbje. Ekipi nuk kishte pësuar asnjë gol, por kishte shënuar vetëm 9, me tri barazime pa gola ndaj Romës, Napolit dhe Empolit.

Mbrojtja ishte e pathyeshme, por mungesa e konkretizimit në sulm ishte alarmante. Megjithatë, në Champions skuadra ecte me ritëm: dy fitore në dy ndeshje, 6 gola të shënuar dhe 4 të pësuar kundër PSV-së dhe Leipzig-ut.

Një vit më pas, në sezonin 2025/26, historia përsëritet. Juventus ka sërish 12 pikë pas gjashtë javësh (3 fitore, 3 barazime, 0 humbje), me 9 gola të shënuar dhe 5 të pësuar, që tregon një mbrojtje më të brishtë.

Në Champions, për më tepër, ecuria është zhgënjyese: vetëm 2 pikë në dy ndeshje, me rezultate barazimi ndaj Villarrealit dhe Dortmundit.

Për ironi, Tudor ka në dispozicion një skuadër më të pasur dhe me më shumë alternativa, veçanërisht në repartin ofensiv që vitin e kaluar ishte pika e dobët e ekipit. Pavarësisht kësaj, problemi mbetet i njëjtë: mungesa e rrezikshmërisë në fazën sulmuese dhe vështirësia për të ndërtuar aksione të rrezikshme nga zona e mesfushës e lartë.



Read it all at Bota Sot