Juventusit nuk i ndahen barazimet, sulmi “tradhton” Tudorin

- Bota Sot

Juventusit nuk i ndahen barazimet, sulmi “tradhton” Tudorin

Juventusi nuk arrin të dalë nga kriza e barazimeve.

Edhe ndaj Milanit, bardhezinjtë nuk shkuan më shumë se një pikë, duke regjistruar barazimin e pestë radhazi mes kampionatit dhe Championsit.

Një seri rezultatesh që fillon të rëndojë në ecurinë e skuadrës së Igor Tudor, e cila po tregon kufizime të dukshme në fazën ofensive. Ndeshja kundër kuqezinjve la pak për t’u mbajtur mend pozitivisht.

Skuadra u duk në vështirësi, sidomos sulmi, dështoi sërish në përpjekjen për të qenë vendimtar.

Trajneri Tudor ka provuar disa zgjidhje në repartin ofensiv, por ende nuk ka gjetur ekuilibrin e duhur.

Konseisao u tregua aktiv me driblimet dhe shpejtësinë e tij, por u zëvendësua në pjesën e dytë mes habisë së tifozëve. Në të kundërt, nuk po arrin të përshtatet me ritmin e Serie A. Larg formës që kishte te Lilë, ai ka humbur sigurinë para portës dhe po shfaqet shpesh i izoluar nga pjesa tjetër e ekipit.

Problemet nuk mungojnë as për Vlahoviç, që alternon momente të mira me periudha pa ndikim, ndërsa Openda vazhdon të zhgënjejë: në mbi 200 minuta lojë nuk ka arritur të realizojë asnjë gol apo asist.

Statistika që flet vetë për një sulm që ka humbur peshën e tij në ndeshje të mëdha. Edhe pse Juventusi mbetet pa humbje, ndjesia është se ekipi nuk po arrin të bëjë hapin e madh drejt garës për titull. Lojë e kujdesshme, ritëm i ulët dhe mungesë fantazie janë elementët që po e mbajnë skuadrën në vendnumëro.

Tudor kërkon qetësi dhe punë: “Nuk është krizë, por duhet më shumë vendosmëri para portës. Nuk mund të fitojmë gjithmonë me barazime,” u shpreh trajneri pas ndeshjes.

Pas pushimit të kombëtareve, kalendari bëhet edhe më i vështirë: transfertë ndaj Komos, përballje me Real Madridin në Champions dhe më pas sfida me Lazion. Tri teste që mund të përcaktojnë nëse kjo Juventus ka karakterin e duhur për t’u rikthyer në garë për majat, apo nëse “pareggite”-ja, sëmundja e barazimeve, do të vazhdojë ta mbajë peng një tjetër sezon të bardhezinjve.



Read it all at Bota Sot