Nga Xhyra e Librazhdit vjen historia e një djali që po bën krenarë shqiptarët në Gjermani.
Quhet Armando Pali, djali i Vullnet dhe Mimoza Palit, i lindur më 18 nëntor 2009 në Nafplio të Greqisë. Që prej janarit të vitit 2014, familja e tij është vendosur në Duisburg të Gjermanisë, në kërkim të një jete më të mirë dhe shkollimi cilësor.
Por për Armandon, rruga drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë. Që prej ditës së parë në fushë, ai nuk ka munguar asnjëherë në stërvitje — as në shi, as në borë. Trenerët e përshkruajnë si një djalë të përkushtuar, punëtor dhe me disiplinë të jashtëzakonshme. “Ka shpirt gare, loz me pasion dhe nuk dorëzohet kurrë,” thonë ata.
Armando njihet për fuqinë në dyluftime, saktësinë me kokë, dhe këmbën e majtë që quhet ‘raketë’. Ka shënuar me dhjetëra gola dhe ka ndihmuar skuadrat e tij me pasime të sakta e vizion loje mbi moshën.
Pas 9 viteve me FSV Duisburg, këtë sezon ai luan në Bundesligën U17 me RW Oberhausen, me fanellën #17. Në rolin e mesfushorit qendror, Armando ka treguar inteligjencë, forcë dhe guxim. Aktualisht ka 3 asistime, ndërsa ndeshja e tij kulmore ka qenë kundër RWE, ku shënoi dy gola për vetëm pesë minuta.
Skuadra e tij e zemrës është Real Madrid, ndërsa idhulli mbetet Cristiano Ronaldo.
Objektivi i Armandos është i qartë: të bëhet futbollist profesionist dhe të përfaqësojë Shqipërinë.
Një histori suksesi, përkushtimi dhe krenarie shqiptare — një ëndërr që ka nisur nga Xhyra e Librazhdit, dhe po shkruhet në stadiumet gjermane.
Ëndrra e një mërgimtari që beson te puna, disiplina dhe flamuri kuqezi.