Tusk kundër ekstradimit të ukrainasit për shpërthimet në “Nord Stream”

- Bota Sot

Tusk kundër ekstradimit të ukrainasit për shpërthimet në “Nord Stream”

Kryeministri polak Donald Tusk ka deklaruar se është kundër ekstradimit të një shtetasi ukrainas të kërkuar në Gjermani në lidhje me shpërthimet e vitit 2022 që goditën tubacionet e gazit Nord Stream.

I dyshuari, një 46-vjeçar i identifikuar nga autoritetet gjermane me urdhër-arrest evropian si Volodymyr Z, u arrestua javën e kaluar pranë Varshavës.

Një gjykatë polake ka urdhëruar ndalimin e tij për 40 ditë, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë dosjet e çështjes që ka dërguar Gjermania. Më pas, gjykata do të vendosë nëse do të pranojë ekstradimin.

Duke folur dje gjatë një vizite në Lituani, kryeministri Tusk tha se do të respektojë vendimin e gjykatës, por e bëri të qartë qëndrimin e tij; “Sigurisht që nuk është në interesin e Polonisë, dhe as në interesin e ndershmërisë e drejtësisë, që ky qytetar të ndiqet penalisht apo të ekstradohet në një vend tjetër”, tha ai në një konferencë për shtyp.

“Problemi me’ Nord Stream 2’ nuk është që u hodh në erë. Problemi është që u ndërtua”, u shpreh Tusk ne X.

Që në fillim, Polonia i ishte kundërvënë ndërtimit të tubacioneve nënujore që sillnin gaz natyror nga Rusia direkt në Gjermani, duke argumentuar se ato do ta bënin Evropën më të varur nga energjia ruse.

Tubacioni Nord Stream 1 furnizonte Gjermaninë me gaz rus, ndërsa Nord Stream 2 nuk kishte hyrë ende në funksion për shkak të luftës së nisur nga Rusia kundër Ukrainës në shkurt 2022. Të dyja linjat janë aktualisht jashtë funksionit.



Read it all at Bota Sot