Carles Planchart, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Pep Guardiolës, ka sugjeruar që trajneri spanjoll duhet të kërkojë një sfidë të re larg Manchester City-t.
Planchart, i cili ka punuar me Guardiolën në tri klube të mëdha evropiane, Barcelonë, Bayern Munich dhe Manchester City, thekson se një projekt futbollistik nuk duhet të zgjasë më shumë se pesë ose gjashtë vjet.
“Është një vendim personal që ai duhet ta marrë vetë, por unë mendoj se një projekt duhet të zgjasë pesë apo gjashtë vjet, jo më shumë. Pas kësaj kohe duhet të rigjenerohesh.
Si mik, do t’i thosha Pepit të kërkojë një projekt të ri, sepse ka ende shumë për të dhënë”, ka thënë ai.
Planchart theksoi se arsyeja pse Guardiola ka qëndruar kaq gjatë në Manchester City është trajtimi i shkëlqyer që ka marrë nga klubi anglez.
“Në City na kanë trajtuar si familje, na kanë lënë të punojmë si në shtëpinë tonë.
Kështu nuk ishte në Barcelonë apo Bayern. Pep është i fiksuar pas futbollit, ai jeton për barin e gjelbër, për fushën.
Është gjeni, krijues. Pika e tij më e fortë është mënyra si shpik futbollin. Të krijosh është gjëja më e vështirë në jetë, pjesa tjetër jemi kopjues. Ai është numri një në këtë aspekt”, theksoi Planchart.
Duke folur edhe për sezonin e fundit të Cityt, Planchart pranoi se skuadra kaloi një periudhë të vështirë.
“Ndonjëherë mungon energjia, dhe kur futesh në një dinamikë të keqe, është e vështirë të dalësh.
Kishim lëndime, disa lojtarë në fund të karrierës, dhe pati rënie të performancës madje edhe te stafi.
Na duhej të luftonim vetëm për të siguruar vendin në Ligën e Kampionëve, që ishte arritje më vete.
Humbja në finalen e kupës ishte ndëshkim për një sezon të dobët,” shtoi ai.
Deklaratat e Planchart kanë shtuar diskutimet për të ardhmen e Guardiolës, i cili është në vitin e fundit të kontratës me Manchester City-n.