Ideja e Super Championsit, reagon Ceferin

- Bota Sot

Ideja e Super Championsit, reagon Ceferin

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e krijimit të një “Super Champions”, një ide e ngjashme me projektin e shumëpërfolur të Superligës Evropiane.

Gjatë qëndrimit të tij në Romë, ku mori pjesë në asamblenë e përgjithshme dyditore të ECA-s (tashmë e transformuar në EFC), Ceferin theksoi se nuk ka asnjë plan për një garë alternative ndaj Champions League tashmë të reformuar.

Në fjalën e tij në “Hotel Cavalieri”, kreu i futbollit evropian hodhi poshtë zërat për një bashkëpunim të mundshëm mes UEFA-s dhe kompanisë A22, promotore e idesë së Superligës.

“Evropa vendos standardet e futbollit botëror. Ka pasur tentativa nga jashtë për ta ndryshuar sportin tonë, por ne nuk do të organizojmë kurrë një garë për vetëm 12 klube,” deklaroi Ceferin me tone të prerë.

Ai shtoi se UEFA mbështet një futboll gjithëpërfshirës, që bashkon njerëzit në kohë krizash politike e sociale:

“Futbolli është një vend ku të gjithë i përkasim. Ndryshimi është pjesë e historisë së tij, por vlera e vërtetë vjen nga uniteti, ekuilibri dhe reformat që forcojnë të gjithë, jo vetëm disa të paktë.”

Ceferin theksoi gjithashtu se futbolli duhet të mbetet pranë rrënjëve të tij:

“UEFA do të sigurojë që ëndrra të vazhdojë të jetojë.

Të gjithë duhet të kenë mundësinë të konkurrojnë e të fitojnë. Futbolli nuk është vetëm bilanc financiar apo argëtim, është pjesë e jetës së komuniteteve tona.

Nëse largohemi shumë nga këto rrënjë, rrezikojmë ta shkatërrojmë.”



Read it all at Bota Sot